Gazmend Çitaku: TAKIM ME PISHTARIN E ULQINIT

Takimi me një veterane të arsimit nga Ulqini, që i përket brezit të parë të femrave të shkolluara, është një nder dhe privilegj i madh. Këto gra kanë qenë jo vetëm mësuese, por pioniere të emancipimit dhe dritës në një kohë plot sfida. Dje, më 3 maj 2026, ne, një grup intelektualësh ulqinakë – Mustafa Canka, Sami Flamuri dhe unë, Gazmend Çitaku, ditën ia kushtuam Nderit të Ulqinit zonjës Naxhije Alibegu Buçinca apo siç e quaj unë me dashuri, meqë jemi edhe miq në rrjetet sociale, teze Naxhi.

Ndonëse ideja fillestare ishte që takimin ta zhvillonim në Prishtinë, fati e deshi ndryshe. Kur kontaktova Xherin – vajzën e teze Naxhit – për të caktuar ditën dhe orën, ajo më tregoi se ndodheshin në Shtoj. Pa humbur kohë, kontaktova shokët dhe vendosëm të ndërmerrnim hapat e nevojshëm për të qenë musafirë, qoftë edhe për pak orë, te Nderi i Ulqinit, e madhja Naxhije Alibegu Buçinca.

Dy fjalë ta përafrojmë për lexuesin: Hapat e parë të arsimit i bën në Ulqin (klasa 1), vazhdon në Shkodër (klasa 2) dhe Tiranë (klasa 3) duke u kthyer prapë në vendlindje ku edhe e mbaron filloren. Vazhdon në Normalen për tri vite në Gjakovë kurse vitin e katërt e mbaron në Prishtinë. Mësuesja e re plot elan kthehet në vendlindje që të japë kontributin e saj kurse pushteti i atëhershëm si “shpërblim” e dërgojnë në Krajë ku edhe shërben për katër vite. Më duhet të them se secili mësues i ri nga Ulqini nuk ka mundur fillimisht të japë mësim në Ulqin por të gjithë fillimet i kanë pasë në Krajë. Ashtu sikurse Naxhije Alibegu, kush më shumë e kush më pak, në Krajë shërbejnë edhe Bahri Brisku, Hajro Ulqinaku, Ruzhdi e Hinda Alibegu, Hasan Gorana etj.

Naxhije Alibegu Buçinca i ka përjetuar dy realitete shumë të rëndësishme për shqiptarët: fëmijërinë dhe hapat e parë në Ulqin, dhe më pas jetën e punën në Kosovë. E rritur dhe e brumosur në një familje ku arsimi dhe atdhedashuria ishin kryefjalë, prej saj ka buruar gjithmonë një forcë e pashterrshme, një vendosmëri e rrallë dhe një besim i patundur te fuqia e dijes për të ndryshuar jetë njerëzish. Naxhije Alibegu Buçinca është një pishtar i vërtetë i arsimit shqip, një dritë që për dyzet vite me radhë ndriçoi me dashuri dhe përkushtim rrugën e brezave të tërë.

Ora për vizitë sa afrohet aqë edhe kurreshtja jonë zmadhohet. Teze Naxhi ka do vjet, është e lindur më 1935 por në takimin tone të befason. Ajo që na lë pa fjalë që të tre, ishte një lloj elegance dhe hijeshie, një lloj fisnikërie që vjen nga një zemër e mirë dhe një mendje e ndritur.

Pasi zumë vendet tona në divan, biseda nisi të rridhte e ngrohtë dhe e natyrshme. Ndërsa ne prezantoheshim një nga një, mësuesja na dëgjonte me atë kuriozitetin të gjallë e dashamirësisë që e ka karakterizuar gjithë jetën, dhe pas pak çastesh, bëri një përmbledhje të mrekullueshme për secilin prej nesh. Me një kthjelltësi mendjeje që të mahniste dhe me kujtime që nuk i kishte zbehur koha, ajo na lidhi në mënyrë të përsosur me rrënjët tona, duke rikujtuar me saktësi paraardhësit e secilit prej nesh. Gjatë gjithë kësaj kohe, këtë atmosferë kaq të këndshme dhe pothuajse familjare na e bënin edhe më të plotë Xheri dhe Agroni, që na shoqëronin me praninë e tyre.

Ne si ulqinak që jemi nuk shkuam duarthatë, e çka me i dhuru më mire se librin. Kështu secili prej nesh kishte marrë me vete botimet e veta të cilat me kënaqësinë më të madhe i pranoi teze Naxhi. I gëzohej librit pamasë. “Për momentin jam duke lexuar Jean Paul Sartr-in të cilin para se të nisem për Ulqin i bleva në librari”, na tha teze Naxhi. U kënaqëm duke biseduar dhe evokuar kujtime nga Ulqini pak më arkaik andaj edhe koha fluturoi pa e vërejt.

Kur erdhi çasti i ndarjes dhe u përqafuam, ndjeva një shtrëngim që më depërtoi thellë në shpirt. Ai përqafim i ngrohtë, i butë dhe plot dritë, më ngjasonte aq shumë me përqafimin e nënës sime. Në atë shtrëngim duarsh dhe në atë aromë mirësie, m’u duk sikur u bashkuan të gjitha nënat e kësaj bote që të falin paqe vetëm me një prekje. Ishte një përqafim që nuk fshinte vetëm mallin për kohët që kanë ikur, por që më la pas një ndjesi të ëmbël e të përmallshme – sikur për një çast, përmes saj, kisha mbajtur në krahë vetë historinë, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar të nënës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi