Një ndër familjet e vjetra ulqinake të cilat pa dyshim se në të kaluarën ishin detarë të vyer dhe pronarë velanijesh është edhe familja Kapllanbegu nga Ulqini. Në bisedën e zhvilluar me Burim Kapllanbegun (1970) në atelen time, nga ai arrijmë të mësojmë shumëçka.
Për fillim të sqaroj se unë Burimin e njoh që nga fëmijëria. Nënat tona, Xhemilja dhe Sadija, ishin shoqe fëmijërie. Andaj edhe ai duke njohur pasionin tim lidhur me detarinë e Ulqinit vendosi që të shpalosë diçka shumë të rëndësishme për te. Atë ditë Burimi me vete kishte sjellë edhe disa relike të cilat i shtërngonte në gji si diçka shumë të shtrenjtë për fisin e tij. Dhe po, është i vërtetë ky konstatim sepse ai në duar mbanë një pikturë, një bastun, një gotë dhe një orë xhepi të cilës koha kaherë ishte ndalur.
Të gjitha këto relike që kanë qenë të Hysen Kapllanbegut, thotë Burimi.
Unë për fillim insistoj që ai të më numroj brezat aq sa di. Fillon nga më i riu: Sabri, Burim, Sabri, Xhemal, Hysen, Meço, Fazli, ???, Kapllan, Fazli, Tahir, Pajazit dhe Tahir Pashë Pajaziti. Këta emra të paraardhësve të vet nëpër breza ai i di falë kujtesës së Mines së Enver Begut e cila ishte bi e familjes së Kapllanbegëve.
Burimi tregon se këto relike janë pjesë e trashëgimisë familjare dhe pjesë e mbetur nga anija familjare e mbytur diku në ujërat e Durrësit. Shkaqet e mbytjes si dhe emrin e anijes nuk e di por që i kujtohet nga babai se këto relike ishin të stërgjyshit – Hysni Kapllanbegut.
Me plot emocione mbaj në dorë edhe unë “Bastunin e Kapidanit” (Kapo-bastun) që atëherë simbolizonte dinjitetin në tokë dhe pikturën e velanijes që tregon fuqinë në det.
Piktura e anijes
Kemi të bëjmë me një pikturë të formatit 50 x 32,5cm kurse me kornizë 55 x 36,5cm.Teknika e përdorur është akuarel dhe tush mbi letër. E punuar me sitlin klasik “Portret i anijes” sipas trendit të përhapur në shekullin XIX.Këto lloj pikturash porositeshin nga kapidanat e anijeve për të dokumentuar mjetin e tyre. Lloji i anijes së pikturuar është Brik i cili ka dy vela dhe për kohën ishte mjet klasik mjaftë i avancuar. Trupi i anijes është paraqitur me ngjyrë të zezë që në rastin tonë simbolizon anije tregtare të tonazhit të madh dhe që lundron nëpër dete të hapura.Numërojmë shtatë pjesëtarë të ekuipazhit, pesë në bash e dy në kiç të anijes. Kurreshtjen tonë zgjon paraqitja e velave. Në direkun e parë ka 5 velaserena, në të dytin rranga dhe kontrarrangë. Kjo formë kombinimi i velave anijen tonëqë e shohim në pikturëe shndërron në Brik-Shkunë. Në një interpretim modern të këtij kombinimi të velave do të thotë se kapidani Hysen Kapllanbegu navigonte me më pak ekuipazh se duheshin në një brik, por ishte shumë më i shpejt dhe më i manovrueshëm në erërat e forta të kanalit të Otrantos.
Nëse analizojmë më tej pikturën vërejmë dy anije shpëtimi në kuvertë një më e vogël e bardhë e vendosur në pupë (kiç) dhe një më e madhe ngjyrë të errët në mes të kuvertës. Në pupë, afër kabinës së kapidanit ndodhet një pjesëtar i ekuipazhit i cili sipas mendimit tim nuk duhet të jetë kapidani i anijes por një pjesëtar tjetër i ekuipazhit. Sipas asaj që shohim kapidani ndodhet në pjesën e parë të anijes, në bash, dhe për momentin është duke shikuar me dylbi. Kapidani i barkës është i veshur me tesha të kaltra, mbi supe ka një pallto të mbyllët kurse në kokë një lloj kapelje të bardhë.Diçka e veçantë në pamjen e kapidanit janë mustaqet e mëdha dhe të zeza.
Jo shumë larg tij shohim edhe Harapin e barkës i cili është duke diskutar me një anëtar tjetër të ekuipazhit kurse tre të tjerë janë duke bërë punët e përditëshme. Harapi i barkës ka të veshura pantallona të kaltra dhe sipër një bluzë të bardhë. Në krahët e bluzës vërejmë në të dy anët paleta që na shtyn të supozojmë se ka një pozitë të rëndësishme në hierarkinë komanduese të kësaj velanijeje. Me këtë rast supozojmë se anija është duke u afruar bregut dhe ai është duke dhënë instruksionet për gastimin e anijes. Në anën e majtë të pikturës, në shkallat e litarit të dierkut të dytë shohim një detar duke u ngjitur lart me siguri me qëllim të mbledhjes së velave sepse siç supozuam, meqë kapidani është duke pare me dylbi ata janë duke mbrrit në portin e dëshiruar: Trieshtë, Marsejë, Raguzë, Durrës, Tripoli, Aleksandri ose Stamboll.
Gjatë procesit të analizës së pikturës vërejtjen ma tërhjek Burimi i cili tregonse këtëpikturë sipas kërkesës së kapidan Hysenit e ka pikturuar Harapi i barkës me emrin Reshit. Është interesante se në pikturë figuron edhe një afroulqinak i cili ndodhet në bash i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona të kaltra.
Dhe Burimi vazhdon: “Reshiti, harapi i barkës, ka qenë i martuar me një afroulqinake të quajtur Zara, por që për fat të keq nuk kanë patur fëmijë”. Sipas Burimit, në bazë të asaj çka i kujtohet nga bisedat që zhvilloheshin në shtëpinë e tyre, Zarën (harapeshën) në Ulqin e ka sjellë me anije Zenel Agë Bakoja. Sa mund të qëndrojë ky fakt nuk kemi mundësi ta vërtetojmë mirëpo e shënojmë ashtu siç na tregon informatori.
Deti i valëzuar në pikturë simbolizon madhështinë e anijes kurse dallgët që krijohen simbolizojnëfuqinë e anijes për të çarë detin. Në pikturë dallojmëdy flamuj. Ky fenomen nuk ishte i pazakontë për kohën dhe kushtet e lundrimit të anijeve ulqinake. Mbajtja e tillë e dy flamujve për marinën tregtare ulqinake ishte shumë e rëndësishme madje mund të themi shumë e domosdoshme sepse pas vitit 1881, edhe pse në shtet të ri shumë anije ulqinake mbajtën lidhjet tregtare me portet e Perandorisë Osmane. Mbajtja e këtij flamuri në direkun e parë (pennant – flamur i hollë e i gjatë) shërbente si “flamur mirësjellje” (courtesy flag) dhe tregonte se anija ishte ende e regjistruar në regjistrat Osmane. Flamuri i marines së Malit të Zi, Tringjyrëshi i Malit të Zi (Kuq-Kaltër-Bardhë) me kurorën mbretërore (1881-1916), në pupë ose direkun e dytë tregon shtetësinë aktuale të anijes. Ky flamur u krijua posaçërisht pas vitit 1881 për anijet e Ulqinit dhe Tivarit. Ai u jepte anijeve të detarëve ulqinakë mbrojtje ndërkombëtare. Kur një anije si kjo e Hysen Kapllanbegut hynte në portin e Triestes me këtë flamur, ajo njihej zyrtarisht si pjesë e flotës së një shteti sovran, duke shmangur taksat e larta që paguanin anijet pa shtetësi të qartë.
Në bazë të kësaj vijmë në përfundim se kapidanat ulqinakë e në rastin tonë Hysen Kapllanbegu, lundronin midis dy botëve, orientit dhe oksidentit. Por, për një gjë ende nuk erdhëm në përfundim e ai është emri i anijes. Në pikturë nuk ka të shkruar asgjë ose mbase koha ka bërë të veten dhe ai është fshirë. Andaj, tani duhet bërë një konsultim me botime të ndryshme e që së pari në dorë marrim librin Historija pomorstva i ribarstva Crne Gore të Franetoviqit. Aty fillojmë kërkimin dhe me sukses identifikojmë anijen e pare që ka të ngjarë se kemi të bëjmë me anijen tone. Franetoviqi flet për anijen ulqinake të lundrimeve të gjata, lloji shkunë, 148 tona, viti i ndërtimin 1868, pronar Husein Malo Beg dhe në fund kjo anije quhet BELLA SCUTARINA. Por, ne nuk ndalemi këtu në të njejtin libër pas disa faqesh na shfaqet regjistri i anijeve ulqinake të regjistruara në Lloyd register of shipping. Në regjistrin e vitit 1906 shfaqet edhe fakti i dytë para na del anija e quajtur Bella Scutarina (ex Maria Zari), shkunë (ang. Schooner), e regjistruar në Portin e Ulqinit, e ndërtuar në Rijekë në vitin 1868, pronar Husein Mecio Beg nga Ulqini, i regjistruar fillimisht në flamurin e Malit të Zi në vitin 1890 pastaj në vitin në atë Osman dhe sërish në vitin 1904 në flamurin malazez. Këto të dhëna plotësisht përputhen me të dhënat e mëparshme. Në dëshminë e parëshkruan Malo beg kurse në regjistërin e Lloydit Meço beg e që shpjegohet me mossaktësinë e regjistrimit të emrave të pronarëve që vinin nga tokat nën juridiksionin e Perandorisë Osmane. Megjithatë nëse shikojmë studimin tonë nga fillimi kujtojmë se Burimi numronte brezat familjar …Hyseni, Meço, Fazli… Pra kemi të bëjmë me personin e njetë dhe për të cilin kemi folur që nga fillimi. Për të përmbyllur kërkimin tone lidhur me emrin e anijes konsultoj edhe librin e dr Maksut Haxhbrahimit i cili po ashtu në tabelën ku paraqet pasqyrën e flotës detare-tregtare ulqinake në faqen 213, numër 64, jep anijen Bella Scutariana (ex Maria Zari), shkunë, 148 tonë, Husein Begu.
KONKLUDIM: Anija në pikturën që na e solli Burim Kapllanbegu është anije e llojit brik-shkunë, 148 tonë, e ndërtuar në Rijekë në vitin 1868, pronë e Hysen Kapllanbegut nga Ulqini dhe mbante emrin BELLA SCUTARINA (ex Maria Zari).
Bastuni i kapidanit (Kapo-basto)
Në Ulqinin e asaj kohe, “Bastuni i Kapitenit” (Kapo-bastun) ishte pjesë e pandarë e veshjes zyrtare e kapidanit të anijes. Ai nuk përdorej në anije gjatë punës, por mbahej kur kapidani dilte në tokë, kur takohej me tregtarët ose kur shëtiste nëpër qytet. Me këtë rekuizit kapidani bënte me dije të tjerët për gradën dhe statusin e tij: “Unë jam pronar anijesh dhe kapidan“.
Ky lloj bastuni në botë është i njohur si cape sword në të vërtetë është një armë e ftohtë (shpatë) e fshehur në shkop. Është e dizejnuar që të shërbejë si shkop për ecje – bastun por që në rast rreziku ka qenë edhe armë.
Për bastunin Burimi tregon se ka qenë pjesë e pandarë e paraardhësit të tij Hysen Begut. Ai thotë se me rastin e blerjes së anijes njëkohësisht ka blerë edhe bastunin e që ai supozonte se emri i gravuar në bastun ka shumë gjasa që të jetë edhe emri i anijes. Por le të bëjmë disa analiza rreth asaj se çka mund të vërejmë fizikisht në bastun.
Bastuni jonë është prej bambusit. Ky material ishte i preferuar nga detarët sepse është i lehtë, i fortë dhe rezistent ndaj kalbjes, kripa dhe lagështira e detit. Gjatësia e përgjithshme është 80cm. Vetëm këllëfi i bambusit është i gjatë 65cm. Në fund të këllëfit ka qenë një pjesë metali prej mesingu por që sot nuk është më. Pjesa e dorëzës është 18 cm dhe në kokë ka një pjesë mesingu në formë koni me diameter 3cm dhe gjatësi 4,5cm.Në pjesën e mesingut nuk vërejmë asgjë të shkruar. Pjesa e metalit (shpata) është nga inoxiqë përfundon me maje është e gjatë 63 cm. Në pjesën më të gjërë të metalit vërejmë diçka të gravuar por që koha dhe moskujdesi e kanë shkatërruar mjaftë. Arrijmë të lexojmë …ALIER A LEDE kurse në anën tjetër numri 5. Ky numër simbolizon modelin dhe fortësinë më të madhe të prodhimit.
Këto lloj bastunesh ishin shumë të preferuar, nga zotërinjtë europianë e sidomos kapidanat e anijeve, në fund të shekullit XIX. Dyqanet tregtare dhe prodhuese të këtyre bastunëve më të përhapur ishin në Francë dhe Belgjikë dhe veçanërisht prodhuesit belg ishin shumë të famshëm. Këta prodhues të vegjël stamponin emrat e dyqaneve të veta në teh, edhe pse shpata mund të ishte e prodhuar në fabrikat e mëdha të Liezhës (Liege) ose Solingenit. Periudha e prodhimit të bastunit tone mund të jetë diku nga 1880-1910 (Epoka Viktoriane ose Belle Epoque). Duke u munduar të deshifrojmë fjalët e gdhendura në shpatë fjala aliersupozojmë CHAVALIER, dhe vazhdimi a Ledenga Lede vend në Belgjikë. Supozojmë se në bastunin tone shkruan KAVALIERI I LEDËS ndonjë prodhues i bastuneve nga Leda e Belgjikës. Nësë kërkojmë qytetin e vogël Leda vërejmë se është shumë afër të dy porteve të mëdha belge si Antwerp dhe Gentit.
Për momentin ky është i vetmi shpjegim i shkrimit por ajo që nuk ngre dyshim është se në shpatën e bastunit e gdhendur mund të jetë vetëm emri i prodhuesit e jo i anijes. Kjo vulë tregon se ky objekt është autentik europian i asaj kohe dhe ky kapo-bastun ishte mjet mbrojtjeje shumë i përhaput mes oficerëve në shekullin XIX dhe një bastun-shpatë ishte zgjedhja më elegante dhe “zyrtare”.
Ky bastun-shpatë i Hysen Kapllanbegut nuk është thjeshtë një objekt i vjetër, ai është një fragment i historisë ku Ulqini ishte i lidhur ngushtë me Evropën përmes detit. Familja Kapllanbegu përfaqësonte atë elitë ulqinake që diti të lundronte jo vetëm dallgët e Adriatikut, por edhe më larg duke mbrrit në brigjet e dhe portet e largëta të Francës, Belgjikës, Amerikës e ku jo. Nga këto lundrime ata sollën pjesë të kulturës evropiane dhe sot mbledhim pjesë të dëshmive që na kanë lënë pas si prova materiale e që padyshim janë gurë xhevahiri të trashëgimisë sonë kombëtare dhe detare.
Ky bastun vërteton se Hyseni ishte një njeri i botës. Ai nuk furnizohej në tregjet lokale, por blinte pajisje të rafinuara në qendrat evropiane si Trieste, Venecia, Marsejë, Antwerpen etj. Ky objekt dëshmon për një shtresë shoqërore ulqinake që fliste gjuhë të huaja, njihte modën e Parisit dhe kishte shije kozmopolite.
Në fund
Familja Kapllanbegu, si një nga fisnikëritë e vjetra (beglerë) të qytetit, luajti një rol kyç në periudhën kalimtare nga shek.XIX-XX. Ata nuk ishin thjesht pronarë tokash, por armatorë anijesh që kontrollonin linjat tregtare midis Ulqinit, Triestes dhe porteve të Mesdheut. Objektet që analizuam — piktura e anijes dhe bastuni i kapitenit — nuk janë thjesht sende personale, por dokumente të statusit social dhe fuqisë ekonomike të kësaj dinastie detare.









