Intervista e kryetarit të PD dhe deputetit te Koalicionit shqiptar “Bashkë nji za” Fatmir Gjeka për Agjencionin MINA.
A keni marrë ftesë nga kryeministri Zdravko Krivokapiq me rastin e bisedimeve lidhur me rikonstruktimin e Qeverisë?
Jo, nuk kemi marrë ftesë nga kryeministri aktual. Më herët kemi pasur një bisedë joformale në Qeveri me bashkëpunëtorët e tij. Por, gjithçka më është dukur e papërgatitur, dhe për këtë arsye edhe mjaft joserioze. Më duket se ata kanë dashur të flasin me ne për shkak të bashkësisë ndërkombëtare, me gjuhën popullore të masin pulsin tonë dhe që, megjithatë, pavarësisht frazave të ëmbla dhe tërheqëse, të vazhdojnë politikën e tanishme. Politika e tillë, në këto 300 ditë, na ka sjellë shumë pak të mira si komunitet dhe shoqëri në tërësi.
Prandaj, subjektet politike shqiptare, si para dhjetë muajsh ashtu edhe sot, nuk e kanë vendin në një qeveri të tillë si kjo. Ne nuk kemi iluzione se ata dinë të punojnë ndryshe nga mënyra siç janë duke vepruar tani.
A keni biseduar me përfaqësuesit e shumicës parlamentare për hyrjen e mundshme të Partisë Demokratike në Qeverinë e re të rikonstruktuar?
Përpos takimit të lartpërmendur, si përfaqësues të partive të pakicave kombëtare të cilat kanë deputetë në Kuvendin e Malit të Zi jemi takuar edhe me zëvendëskryeministrin dhe udhëheqësin e Lëvizjes URA, Dritan Abazoviq. Edhe në këtë takim, temë e bisedimeve nuk ka qenë mundësia e hyrjes në një lloj qeverie të rikonstruktuar, as që e ka ngritur kush këtë çështje.
Fakti që vetëm dhjetë muaj pas formimit diskutohet për rikonstruktimin e qeverisë aktuale tregon qartë për pranimin e dështimit pikërisht të atyre që akoma vazhdojnë t’i japin asaj mbështetjen e shumicës në Parlamentin shtetëror.
Në çfarë kushtesh partia juaj është e gatshme të jetë pjesë e Qeverisë së re dhe a është ky ndopak një opsion për Ju?
Edhe para dhjetë muajsh ne kemi propozuar publikisht modelin e qeverisë së pakicës, të cilën do ta përbënin URA, Demokratët, PSD dhe partitë e pakicave. Besojmë se edhe sot kjo është ndoshta mënyra më e mirë për të tejkaluar situatën aktuale politike në vend, ose mbase formimi i një qeverie kalimtare.
Të qenit në një qeveri e cila mbështetet kryesisht nga grupimet nacionaliste, të cilat janë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike, është e papranueshme për ne. Ne mund të jemi pjesë vetëm e qeverisë e cila mbështet kursin evropian dhe e cila e sheh Malin e Zi si një shtëpi të lumtur për të gjithë qytetarët/et e tij dhe të gjitha bashkësitë nacionale dhe etnike.
Prandaj, në emër të Koalicionit Shqiptar “Bashkë nji za” kam mbështetur Rezolutën për stabilizimin e situatës politike dhe arritjen e konsensusit për çështje evropiane, të propozuar së fundmi nga Partia Socialdemokrate.
Mali i Zi është në një krizë të thellë politike. Sipas mendimit Tuaj, a është zgjidhje për tejkalimin e saj rikonstruktimi i Qeverisë apo duhet të mbahen zgjedhje të reja?
Çdo përpjekje për rikonstruktimin e qeverisë së tashme është një punë e kotë, humbje kohe dhe dhënie e kohës, hapësirës dhe resurseve për degradimin e këtij vendi drejt humnerave të despotizmave lindore.
Zgjedhjet janë gjithmonë zgjidhja më demokratike për daljen nga kjo situatë, megjithëse nuk shoh se shumica e aktorëve në skenën politike, të paktën tani për tani, janë të gatshëm për një zgjidhje të tillë.
Si parti dhe si koalicion, por mund të them edhe si shqiptarë në Malin e Zi, ne jemi për këtë.
Cili është qëndrimi Juaj për propozimin e kryetarit të Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, që qeveria e pakicës ose qeveria e besimit zgjedhor është rrugëdalje nga kriza?
Edhe ato janë opsione, që i vlerësoi si të mira. Por mbetet tani të presim rrethin e parë të bisedimeve mes partive në pushtet, ndoshta edhe rrethin e dytë, dhe pastaj të gjithë së bashku të kërkojmë disa zgjidhje më të mira. Qytetarët tanë e meritojnë këtë, sidomos të rinjtë, sepse ata janë për çdo ditë më të lodhur dhe më të konsumuar nga imponimi i ideologjive të kalbura dhe politikave farsë të shekullit të 19-të. Pikërisht ashpërsia dhe shpejtësia e premtuar lehtë janë shenja të besueshme se ideologjitë dhe politikat e tilla prapanike, në shërbim të të cilave janë më pas drejtësia dhe ekonomia, do të përjetojnë sërish humbje qytetëruese, ashtu siç ka ndodhur në dekadën e fundit të shekullit të 20-të.
Gjëja më e rëndësishme për ne tani është që Mali i Zi dhe qeveria e tij janë qartë dhe pa mëdyshje të përkushtuar ndaj integrimeve evroatlantike, si dhe që partnerët tanë kryesorë, SHBA dhe BE, po e rikthejnë me të madhe vëmendjen në juglindje të Evropës. Kjo do të thotë stabilitet dhe zhvillim i Malit të Zi dhe i tërë rajonit tonë.