Kumtesë për opinion të Partisë demokratike.
Anëtari i koalicionit shqiptar “Bashkë nji za” dhe kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, tha në Parlamentin e Malit të Zi gjatë zgjedhjes së Qeverisë së re se vetëm përfshirja e të gjithë popujve në sistemin e vendimmarrjes garanton stabilitetin dhe zhvillimin e Malit të Zi.
“Zonat ku jetojnë shqiptarët kanë qenë më pak të zhvilluara për dekada, pavarësisht potencialit të madh që kanë. Ai rrip – nga Ulqini përmes zonës së Anës së Malit, Krajës dhe Malësisë, deri në Alpet Shqiptare, më saktësisht Plavë, Guci dhe Rozhajë, është i dhënë nga Zoti për turizëm dhe bujqësi. Me pak vullnet të mirë, punë dhe përkushtim dhe një vizion krijues, kjo mund të jetë një zonë e begatë, dhe jo vetëm zonat nga të cilat njerëzit emigrojnë në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, tha ai duke theksuar se parakusht për zhvillim janë investimet.
“Njerëzve gjithashtu duhet t’u kthehet pasuria e konfiskuar (në Valdanos, Shtojë dhe Malësi), kompetencat qeverive lokale në përputhje me dokumentet evropiane, të fillojë prodhimi i kripës në Kriporen tonë, përmirësimi i ofertës turistike, menaxhimi i duhur në të Mirat detare dhe pyjeve në Veri, veçanërisht në parqet nacionale, hapja e disa vendkalime të reja kufitare për në Shqipëri dhe Kosovë, dhe vendkalimin kufitar në det në Ulqin, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura e përgjithshme dhe të merren një numër vendimesh të tjera të rëndësishme”, tha Gjeka.
Ai shtoi se është sigurisht e rëndësishme që shqiptarët të përmirësojnë bashkëpunimin me diasporë, si institucionale ashtu edhe në çdo fushë tjetër. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme në situatën aktuale në të cilën ndodhemi për shkak të pasojave të pandemisë globale, e cila kërkon lëvizjen e të gjitha strukturave shoqërore në përballjen me vështirësitë sociale dhe ekonomike në të cilat jemi dhe do të gjendemi”, tha anëtari i koalicionit shqiptar “Bashkë nji za”.