I nderuar z. Rama,
Me vëmendje kemi përcjellur procesin e konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re në shtetin amë, të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare, me ç’rast Shqipëria ka treguar edhe një herë pjekuri politike dhe institucionale në formimin e institucioneve të reja.
Gjatë qeverisjes suaj Shqipëria ka dëshmuar se din dhe ka kapacitete për t’u përballur me fatkeqësi natyrore dhe shëndetësore, si tërmeti katastrofal i nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19.
Ne kemi mirëpritur rritjen e interesimit të Shqipërisë për shqiptarët në Mal të Zi dhe intensifikimin e rolit të Shqipërisë në politikën rajonale.
Pavarësisht qëndrimit të njëanshëm që Ministria për Evropën dhe Punëve të Jashtme ka mbajtur ndaj subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi, ne e kemi kuptuar këtë si një gabim të momentit.
Zgjedhja juaj për të tretën herë në krye të Qeverisë përbën një moment të ri politik në traditën e shumëpartiakësisë në Shqipëri.
Në mandatin e tretë qytetarët me të drejtë presin më shumë nga qeveria e re, por unë jam i bindur se Ju do të plotësoni dhe tejkaloni pritshmëritë e tyre.
Jam i sigurt se qeveria e re do të dijë të përballet me sfidat që e presin në planin e brendshëm, duke punuar fort në rritjen e standardit të qytetarëve, gjë që do të rezultojë me zvogëlimin e emigrimit si një plagë e jona e përbashkët, kurse në planin e jashtëm do të vazhdojë përshpejtimin e proceseve integruese drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përbërja e kabinetit qeveritar shpreh mē së miri vlerësimin për punën dhe kontributin e femrave në shoqërinë shqiptare.
Një Shqipëri e fortë politikisht dhe ekonomikisht është në interes të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në rajon. Prandaj ne presim që të bashkëpunojmë më ngusht për realizimin e të drejtave dhe aspiratave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Duke ju përgëzuar për rizgjedhjen Tuaj në krye të Qeverisë, Ju uroj punë të mbarë dhe shumë suksese.
Fatmir Gjeka, kryetar i Partisë Demokratike dhe deputet i Koalicionit “Bashkë nji zâ” në Kuvendin e Malit të Zi