Gjekë Gjonaj: “Afërdita e Anës së Malit”, mësuesja e parë në gjuhën shqipe në këtë  trevë

Kështu e kam titulluar kronikën televizive gjatë intervistës time të parë me mësuesen e parë në Anë të Malit  Rukije Lika – Shabaj, në nëntor të vitit 1994. Nga biseda me këtë mësuese model, mësuam se ajo u rrit në një familje të varfër dhe prindërit e saj rritën 6 fëmijë (3 djem dhe 3 vajza) në një situatë të vështirë ekonomike. Mësuesja Rukije megjithatë ishte më e fortë se paragjykimet e kohës për shkollimin e vajzave. Shkollën tetëvjeçare e mbaroi në vitin shkollor 1958/1959, kurse të mesmen në Prishtinë, ku pas dy vitesh  u diplomua në Shkollën e Lartë Pedagogjike – drejtimi klasor.

Ajo si mësuese e parë  theu barrierat dhe tabutë lidhur me arsimimin e  femrave në Anë të Malit. Mediplomën e mësueses, të cilën e mori me meritë në Shkollën Normale “Milladin Popoviq” në Prishtinë, u kthye në vendlindje në vitin shkollor 1963/64. Në shtator të atij viti filloi punën me nxënës në Katërkollë, po në atë shkollë prej nga, siç më tha ajo, ishte e nisur për në shkollë e veshur me rroba fshatareje. Rrëfimet e saj  para kamerës televizive për historinë interesante të  fillimit të rrugëtimit të saj të arsimimit ishin mjaft emocionuese dhe të pazakonta, sepse ishte femra e parë nga kjo zonë e cila me insistimin këmbëngulës të drejtorit të shkollës Jonuz Divanit mori vendimin “të niset pa ditur se për ku, se ku do të banojë, ku do të flejë”, e ngarkuar nga zërat paragjykues të bashkëfshatarëve të vet se “kujt i duhet më  kjo vajzë e cila po lë familjen dhe po shkon vetëm në shkollë”. Kjo arsimdashëse nuk ua vuri veshin thashethemeve të fshatit, por vazhdoi me seriozitet e përkushtim misionin e filluar. Me punën e palodhur dhe me sjelljen e saj  shembullore arriti t’i përballojë të  gjitha sfidat me të cilat u ballafaqua gjatë përfundimit të shkollës së mesme dhe shkollës normale në Prishtinë. Kur u kthye me diplomën e mësues ndjehej krenare për faktin se theu akullin shekullor  dhe hapi një shteg të mbyllur deri atëherë për femrat anamalase. Rrugën e saj të shkollimit për fat të mirë e ndoqën shumë breza vajzash të kësaj zone. Familjarët e mësueses Rukije dhe të tjerët ndiheshin krenar se kanë një vajzë dhe një bijë të tillë e cila po edukon dhe arsimon brezat e rinj anamalas në frymën e shëndoshë.

Në njërën prej pyetjeve tona: “A më fort të duan nxënësit ty apo ti ata?”, ajo na u përgjigj kështu: ‘T’ju them të drejtën, sa i dua unë ata. Dashuria ndaj profesionit është moment në vete. Sentimentalizmi ndaj fshatit Katërkollë, që për herë të parë mëson në gjuhën e vet, është faktori i dytë i rëndësishëm. Fakti që unë jam mësuesja e parë e kësaj shkolle shqipe më bën që përmbajtjen e jetës ta kuptoj më së miri kur gjendem në mesin e luleve të mira”, siç i quante ajo nxënësit e vet. “Jeta ime merrte kuptimin e duhur duke qenë në mesin e atyre fëmijëve të vegjël që donin të mësonin në gjuhën e nënës së tyre”, na ka thënë ajo.

Porosia e mësueses Rukije Lika Shabaj e cila punoi si mësuese 35 vjet ishte: “Bëni më shumë për arsimin në përgjithësi, në veçanti për ata mësimdhënës/e të cilët ishin të parët/ at që dritën e dijes në gjuhën shqipe e kishin shpërndarë nëpër të gjitha familjet shqiptare”. Ajo edhe pse fizikisht nuk ndodhet mes nesh meriton një mirënjohje të madhe  për kontributin e saj të paçmuar nga nxënësit, mësimdhënësit, prindërit,  institucionet e arsimit dhe nga shqiptarët.

Ky shkrim imi modest për “Afërditën e Anës së Malit”, siç e kemi quajtur ne mësuesen e dashur, le të jetë një falënderim për protagonisten tonë dhe për të gjithë mësuesit/et, pedagogët/et e inspektorët/et e arsimit shqip të asaj kohe, dhe një apel që të ndriçohet më tepër ajo kohë dhe të kujtohen e mos të harrohen këto personalitete.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi