Trupa artistike e Ulqinit po përgatitet për pjesëmarrje në emisionin televiziv “Gurra popullore” në “Top Chanel”. Udhëheqësi artistik i këtij grupi, Munib Abazi, thotë se ky spektakël do të mbahet ditën e diel, më 24 janar 2024.
“Me këtë rast Ulqini do të ketë një paraqitje të plotë të vlerave historike dhe etnokulturore të këtij qyteti me traditë dhe trashëgimi të begatë. Do të jetë ky një mozaik i pasur nga tradita dhe trashëgimia jonë etnomuzikore e pasqyruar përmes rrëfimeve historike, detarisë, ullishtarisë, këngëve e valleve tradicionale popullore, veshjeve popullore dhe instrumenteve burimore”, shprehet Abazi.
Artistët nga Ulqini do të sjellin në studion dhe ekranin e televizionit “Top Chanel” për teleshikuesit shqiptarë buçetën e pasur të traditës, muzikës e këngëve autoktone të kësaj komune, pa të cilat arti muzikor shqiptar do të ishte i mangët. Nuk do të mungojnë as gatimet tradicionale të Ulqinit.
Përveç trupës artistike të ftuar në këtë emision televiziv do të jenë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, dhe specialistë të kësaj fushë. Ata përmes bisedave në studio do të shpalosin të kaluarën historike, kulturore, trashëgiminë, traditën folklorike të Ulqinit dhe strategjinë që ka kjo komunë për zhvillimin e kulturës në dobi të të zhvillimit të saj përmes turizmit kulturor.
E gjithë kjo autoktoni kulturore artistike e Ulqinit do të përformohet drejtpërdrejt nga artistët ulqinakë të brezave të ndryshëm. Pritet të jetë ky një show special i artit burimor i shfaqur me një program të pasur artistik, të cilin financiarisht e ka mbështetur Komuna e Ulqinit.
Përmes këtij spektakli do të promovohen vlera nga tradita dhe trashëgimia kulturore e historike të Ulqinit, si vlera të rëndësishme kombëtare, duke i promovuar dhe ruajtur në këtë mënyrë nga rreziku i zbehjes së tyre deri në venitje.
Realizimi i gjithë kësaj ndërmarrje të madhe shumë të rëndësishme është mjaft i vështirë edhe nga artistët që kanë marrë përsipër t’i kushtohen kësaj fushe, ku gjallon identiteti i Ulqinit, si pjesë e pandarë e identitetit artistik kombëtar.