Gjekë Gjonaj: Më shumë dashuri, respekt e vlerësim për gratë

 

Gjeke GjonajDerisa mëngjesin e të martes po kaloja rrugës përballë shkollës së mesme  në Ulqin trotuaret e mbushura me lloj-lloj lulesh e dhuratash më sollën ndërmend festën e 8 marsit, ditën kur gratë duhet të mendojnë për vete dhe për gratë e tjera, të reflektojnë se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet i takojnë, janë gra dhe janë të njëjta. Simbolikae kësaj dite më kujton në gratë fisnike e të pamposhtura të fshatit tim të lindjes – Trieshit, por edhe ato të  trevave tjera të Malësisë së Mbishkodrës, të cilat shekuj me radhë u përballuan me  ashpërsinë e jetës. Në kremten e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mu kujtua fakti i hidhur  se mbi supet e këtyre grave të rëndomta fisnike shqiptare (malësore) mbizotëroi robëria mashkullore, varfëria për të rritur fëmijët, pesha e lotëve dhe padrejtësitë e shumta. Gratë e asaj kohe ishin simbol i sakrificës dhe përkushtimit në shoqërinë shqiptare që ngritën vlerat e edukatës nëpër breza. Ishin ato zonja fshatare të cilat krahas punëve të shtëpisë punonin punët më të rënda  krah për krah me burrat. Ishin ato gra e vajza që i binin shatit në arë nga mëngjesi deri në darkë. Banin dru e ujë në shpinë. Kryenin edhe shumë punë tjera të rënda fizike.  Në këto rrethana  kënaqësinë e kësaj feste nuk e ndjenin,  nuk e shijonin dhe nuk e përjetonin. Festa e tyre kalonte pa dhurata. Jo pse nuk e meritonin, por sespe i takonim një shoqërie tejet patriarkale, ku gruaja është trajtuar siç thotë populli “mos o Zot e ma keq” apo “zi e ma zi” dhe është shfrytëzuar në mënyrën më mizore (ç’njerëzore) , për të mos thënë më shtazore, njashtu si bagëtia dhe kafshë pune.

Në rrethana të këtilla gratë, nënat dhe motrat tona kënaqeshin me një urim zemre nga bashkëshorti, fëmijët, vëllezërit apo familjarët e tjerë nëse kujtoheshin. Fatmirësisht gratë shqiptare si gur të çmuar  që shndritën shoqërinë shqiptare nuk u dorëzuan në asnjë çast para sfidave që ua imponoi tirania e jetës, duke e ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre përgjatë viteve. Sot në mileniumin e ri gratë shqiptare për dallim nga ajo kohë e pakohë kanë më shumë respekt, më shumë kujdes, më shumë liri, më shumë vlera, më shumë të drejta. Roli i saj është më i madh në shoqëri, ndonëse ndihet realiteti i dhimbshëm i një patriarkalizmi që ende depërton dhe është i pranishëm në venat e shoqërisë shqiptare, sikurse  edhe paragjykimet. Nëse gratë shqiptare dëshirojnë të jenë të barabarta duhet në rend të parë të angazhohen më shumë dhe seriozisht në fuqizimin e tyre intelektual, në  aftësimin profesional, të mbështetën në vlera morale dhe njerëzore për arritjen e synimeve të tyre, ta ngrisin zërin e tyre kundër dhunës, diskriminimit e padrejtësive tjera që u bëhen edhe në shoqërinë  postmoderne.

Ne shqiptarët kudo që ndodhemi në këtë ditë të bekuar për këto burrnesha   duhet të krenohemi për virtytet dhe vlerat e tyre që nga mbretëresha Teutë e cila sundoi në vitet 230-228 para epokës së re, Mamica, motra e vogël e kryetrimit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, e madhja e Rilindjes sonë Kombëtare Elena Gjika, nobelistja shqiptare, humainstja më e madhe e njerëzimit Nënë Tereza dhe Shotë Galica, simboli i qëndresës së femrës shqiptare e deri tek figurat më të ndritura që përfaqësojnë femrën nëpër të gjitha fushat e jetës politike, kulturore, shkencore, arsimore,  administrative e struktura të tjera të larta shtetërore e ndërkombëtare.

Gratë dhe vajzat shqiptare e kenë merituar dhe e meritojnë respektin e shoqërisë. Ato nuk kërkojnë t’u falet asgjë, përveç respektit dhe vendit që  e meritojnë. Kërkojnë sepse kanë të drejtë, t’u mundësohet dhe t’u lejohet të dëshmojnë afëtësitë e veta. Barazia gjinore nuk është lëmoshë. Ashtu sikurse edhe ne burrat, edhe gratë janë nga i njëjti brumë: mish, gjak e kockë. Në këtë ditë kremteje  gratë kërkojnë dhe presin nga ne meshkujt pak nderim, pak kujdes dhe më shumë dashuri për to. Kërkojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si intelektuale e profesioniste të afta. Duan më shumë  se një lule apo  një dhuratë modeste, edhe pse 8 marsi është thjesht ditë lulesh. Ato vërtetë e meritojnë këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi