Gjekë Gjonaj: Në nderim të vlerave bamirëse të shenjtores dhe misionares shqiptare, Nënë Terezës

Më 19 tetor të këtij viti janë mbushur 20 vjet nga lumturimi i misionares shqiptare, Nënë Terezës. Këtë  simbol shqiptar dhe botëror të solidaritetit njerëzor, e  lumturoi Papa Gjon Pali II . Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit.“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, “për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe vuajtjet, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim për paqe.” e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Më 5 shtator 2016 Papa Françesku  shenjtëroi Nënë Terezën, duke e bërë atë një shenjtore të Kishës Katolike dhe një shembull  të ndritshëm të bamirësisë  dhe dashurisë njerëzore.  Prej atëherë kjo ditë, e cila përkon me ditën e vdekjes së saj,  është festë zyrtare në Shqipëri “  Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës”. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në njohje të rolit të bamirësisë,  në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve  të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së saj, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Kjo heroinë e kohëve moderneka frymëzuar miliona njerëz të shërbejnë të ndriçuar nga drita e dashurisë.Kjo nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga gjiri  i një populli të lashtë, me kulturë, identitet e histori origjinale, ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe dashurisë. Kjo grua me trup të vogël, por me zemër të madhe ,  është krenaria e të gjithë njerëzimit, por më shumë dhe mbi të gjithë na bën krenar  ne shqiptarëve, prandaj duhet të kujtojmë misionin e saj të pavdekshëm bamirës, të cilin secili prej nesh mund ta vazhdojë duke dashur e respektuar më shumë njëri-tjetrin dhe duke ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë. Fjalët e saj: “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën” , na vijnë si reflektim dhe mësim.

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi më 26 gusht 1910, në Üsküb – sot Shkup në Maqedoninë e Veriut nga prindër shqiptarë,  të cilët i rritën fëmijët e tyre në besimin e krishterë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë,  për t’u bashkuar me manastirin e Motrave të Loretos, në Rathfarnham, afër Dublinit, Irlandë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Vepra e saj  e ndritur, hyjnore dhe bamirëse  e bënë  atë nënë  e të gjithëve , të  njerëzve të pashpresë,  të pambrojtur, të braktisur, të sëmurë, të varfër, të pafuqishëm…  Si  të tillë  njerëzimi  botëror   me të drejtë e konsideron si simbol i  vlerave të larta njerëzore,  mëshirës, bujarisë,  shpirtmadhësisë,  bashkëvuajtjes,  vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal dhe flijimit për të tjerët. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeçare, në manastirin e saj në Kalkutë  Qeveria indiane  shpali ditë zie dhe, duke thyer traditën, organizoi një funeral shtetëror për të , më 13 shtator në stadiumin e brendshëm “Netaji”. Sot, puna e saj është një  frymëzim në të gjithë botën për më shumë ndihmë ndaj të varfërve.

 

 

Fjalët e saj

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën” , na vijnë si reflektim dhe mësim”.

 

Vlerësimet për Nënë Terezën

“Vepra e saj  e ndritur,  hyjnore dhe bamirëse  e bënë  atë nënë  e të gjithëve, të  njerëzve të pashpresë, të pambrojtur, të braktisur, të sëmurë, të varfër, të pafuqishëm…  “

“Kjo nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga gjiri  i një populli të lashtë, me kulturë, identitet e histori origjinale, ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe dashurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi