Vdekja tragjike e Nua (Toni) Selçaninit në fshatin Shtoj të Ulqinit, është e fundit ndër humbjet e papritura, të befasishme e tronditëse në komunikacionin rrugor, gjegjësisht në rrugën e cila të çon nga Ulqini për në ishullin Adë, pranë lumit Buna. Jeta e këtij 52 vjeçari, bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve, u shua aksidentalisht mbrëmjen e së dielës,rreth orës 17,45 mbasi me makinën e tij Golf IV është përplasur me lopë.
Qysh nga lëshimi në qarkullim kjo rrugë “pushtohet” nga kafshët shtëpiake, dele e lopë të shumta të cilat janë kthyer në rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion. Kjo gjë sidomos muajve të fundit po shqetëson qytetarët, në veçanti vozitësite automjeteve, të cilët thonë se përditë rrezikohet jeta e tyre. Shoferët për këtë dukuri negative me pasoja tragjike fajësojnë pronarët e bagëtive të cilët nuk kujdesen për to, por i lëshojnë ditë e natë pa kurrfarë kontrolli. Por s’duhet harruar edhe (mos)respektimin e shenjave në këtë rrugë të disa shoferëve. Sikur shpejtësia të ishte e vogël, pasojat nga plërplasja me kafshët shtëpiake në rrugë me siguri do ishte me më pak pasoja.
Më shqetësuese mbetet prania në mbrëmje e bagëtive papërkujdesje nëpër rrugën e Shtojit, kur edhe rreziku shtohet për shkak të errësirës. Me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme si shkak i pranisë së bagëtive në këtë rrugë të përgjakur, policia rrugore disa herë iu ka bërë thirrje të gjithë banorëve dhe pronarëve e kësaj zone që të kujdesen që bagëtitë e tyre në asnjë mënyrë mos të jenë pjesë e rrugës pa përkujdesjen e pronarëve. Megjithatë dukuria e tillë vazhdon të jetë evidente, fatkeqësisht me pasoja tragike, humbje jete njerëzish. Prandaj është koha e fundit që policia në bashkërendim me të gjithë kompetentët e tjerë të parandalojnë lëvizjen e pakontrolluar e bagëtisë, gjë që është shkak i aksidenteve jo të pakta me pasoja fatale dhe i dëmeve të mëdha materiale, duke përfsihirtë këtu edhe inicimin e procedurës për secilin nga pronarët që do të identifikohen.
Veç kësaj kompetentët do të ishte mirë të zhvillojnë edhe një fushatë vetëdijësimi me moton “Kafshët në rrugë – rrezik në komunikacion”, ku do të të përfshihen qytetarë përgjatë rrugës së Shtojit dhe rrugëve të tjera lokale, pronarë të kafshëve shtëpiake të cilët i kullosin kafshët shtëpiake afër rrugëve, apo edhe i kalojnë nëpër to. Vetëdijësimi do të duhej të përfshihej me prezentimin e statistikave të aksidenteve të së kaluarës, njoftim dhe sqarim të tyre me bazën ligjore për lëvizjen e bagëtive, me sanksionet që pasojnë, fotografi dhe aksidente në vendgjarje, artikuj nga gazeta etj, në mënyrë që ata të dinë pasojat dhe rreziqet kur kafshët të dalin në rrugë pa kontroll apo mbikqyrjen e tyre.
Nuk duhet të presim më që viktimat e shkaktuara nga aksidentet në rrugën e Shtojit për shkak të lëvizjes së pakontrolluar të bagëtive të shtohen gjithnjë e më shumë dhe të shohim se si disa nga viktimat, miqtë tanë, fqinj, anëtarë të familjeve tona, ose të tjerë, fillojnë një udhëtim që ata kurrë nuk e përfundojnë.