Gjekë Gjonaj: Vlerë e padiskutueshme historike e dokumentare për njohjen dhe ndriçimin e kusarisë dhe piraterisë së Ulqinit

Libri më i ri i gazetarit dhe  studiuesit të njohur Mustafë Cankës “Republika kusare e Ulqinit – një epope 200-vjeçare” nuk është vepra e parë me vlerë historike dhe kulturore e tij, i cili herëpashershëm befason me punë të tilla vetëmohuese, hulumtuese, shkencore, që tregon një dashuri të madhe për qytetin e tij të lindjes – Ulqinin (qytetin më të vjetër në Adriatik), por edhe një vullnet të jashtëzakonshëm, cilësi që nuk i mungon studiuesit.

Në këtë vepër  tregimtare në prozë trajtohen (përshkruhen) bëma legjendare e ngjarje të rëndësishme historike të jetës së ulqinakëve të lundrimit në det, i cili përgjatë historisë ka qenë  një nga profesionet kryesore të tyre, ku, siç thotë autori, gjithmonë këtu vlente rregulli i ashtuquajtur detar: “Është e nevojshme të lundrosh, s’është e nevojshme të jetosh”.

Ky konstatim lë të kuptojmë se sa të forta dhe të pa ndara ishin lidhjet e gjata shekullore të ulqinakëve me detin dhe detarinë, si burim i ekzistencës së tyre jetësore, e cila ngritjen e vet më të madhe e arriti në shekullin XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX, por edhe me kusarinë që përmendet që në shekullin XIV, kurse Ulqini, në shekullin XVII e XVIII, u shndërrua në çerdhe të rrezikshme të kusarëve.

Libri “Republika kusare e Ulqinit” është i strukturuar në 22 njësi tematike, për të cilat autori bën kërkime e hulumtime serioze me qëllim të  zbulojë dhe të zbardhë fakte e të dhëna të panjohura ose pak të njohura për shumëllojshmërinë e aktiviteteve (ngjarjeve) në det dhe epopenë  200-vjeçare kusare ulqinake e cila përfundon në mesin e shekullit XVIII. Vepra për lexuesin është sa interesante, aq e këndshme, aq tërheqëse, aq edhe e ndërtuar bukur si strukturë dhe si paraqitje (shtjellim).

Kur njihesh me përmbajtjen e këtij libri me vlera të padiskutueshme  historike e dokumentare bindesh për qasjen e tij serioze të bazuar në literaturën shkencore dhe për barrën e rëndë të punës që ka mbajtur mbi supe ai, jo vetëm në grumbullimin dhe prurjen dokumentare të lëndës nga autorë shqiptarë dhe të huaj, por edhe në realizimin (hartimin) me sukses të kësaj vepre me interes jo vetëm për ulqinakët, por edhe për  shqiptarët dhe popujt e tjerë.

Ky libër do t’u përafrojë  botën emocionuese të kusarëve dhe piratëve dhe do t’ju zbulojë të gjitha të fshehtat e tyre: zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës, rolin e tyre në histori, kusarët që fituan famë (emër), të  gjitha informacionet më të rëndësishme, së bashku me fotot dhe shumë gjëra të tjera interesante.

Pasi e lexova librin “Republika kusare e Ulqinit” u binda se kolegu Mustafë Canka ka dhënë më të mirën e vetes dhe nuk është kursyer për të dhënë kontributin e tij të çmuar  me saktësi argumentuese, bujari çiltërsi dhe dinjitet, për të hedhur dritë  mbi kusarinë e Ulqinit, e cila për banorët e këtij qyteti të jashtëzakonisht të bukur mesdhetar për rreth  200 vjet, përveçse ishte një nga burimet e jetesës, ishte edhe një biznes mizor i përgjakshëm.

Vlerën e këtij libri ia shton edhe gjuha (ligjërimi) që ka përdorë autori. Vepra është shkruar me një stil të arritshëm drejt paraqitjes së qartë të asaj epoke të shkuar që ndërlidhet me historinë dhe traditën e lashtë të ulqinakëve në viset bregdetare të Mesdheut, të cilët historikisht, që nga Iliria janë të njohur si detarë të shkathtë, lundrues të mirë, ndërtimtarë dhe kapedanë të zotë të anijeve, por edhe si kusarë, apo piratë.

Mustafë Canka në këtë libër studimor është treguar një individualitet me një formim të personalitetit të respektuar, pse jo edhe të mahnitshëm, si studiues i mirëfilltë dhe njohës i mirë i historisë së Ulqinit, sepse ka fituar diçka të madhe, lirinë vetjake që nuk ndërvaret nga askush, nga asnjë lloj klani apo grupimi politik. Kjo është një vlerë e madhe e cila i dallon krijuesit dhe studiuesit e vërtetë (tamam) nga të tjerët, të ndikuar nga politika e kohës. (Marrë nga Koha Javore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi