Libri “Zërat nga dhoma e shurdhër” (Glasovi iz gluve sobe) e gjeneralit dhe analistit gjeopolitik Bllagoje Grahovac është prezantuar të enjten mbrëma në Qendrën kulturore të Ulqinit.
Për autorin e këtij libri jashtëzakonisht interesant foli drejtori i Qendrës dr Nail Draga, i cili pastaj i shtroi pyetje gjeneralit Grahovac si për veprën e tij, ashtu edhe për një sërë temash aktuale.
Kështu, për shembull, ai shprehu bindjen se brenda vitit të ardhshëm Mali i Zi, për arsye gjeopolitike, do të jetë pjesë e NATO-s, si dhe që KGB-ja ruse shkatërroi ish Jugosllavinë.
Grahovac vlerëson se paqja dhe zhvillimi në Ballkan do të nisin vetëm pas miqësisë së Kroatëve, Serbëve dhe Shqiptarëve. “Serbet dhe Shqiptarët i provuan të gjitha deri tani. Vetëm nuk provuan të jenë miq. Kur ta provojnë këtë gjë, mesiguri gjërat do të ndryshojnë për mirë. Por, që popujt të kultivojnë miqësinë, edhe shtetet duhet të jenë të sinqertë rreth kësaj gjëje. E jo vetëm të flasin fjalë të ëmbla liderët e tyre”, shtoi ai.