Në territorin e Ulqinit ka rreth 130 mijë rrënjë ullinj (nga të cilët rreth 86,000 janë shekullor), të cilat këtë qytet e rendisin të parin në Mal të Zi për nga numri i ullinjve. Kjo shifër përbën gati një të tretën e numrit të përgjithshëm të rrënjëve të kësaj bime të bekuar në vendin tonë.
Në të njëjtën kohë në këtë komunë janë dy të tretat e agrumeve në prodhim nga numri i evidentuar në Mal të Zi. Në Ulqin ka rreth 300 mijë rrënjë të kulturave të tjera jugore, ku pjesën më të madhe e bëjnë mandarinat. Vlerësohet se prodhimi i tyre vjetor është rreth tre mijë tonë.
Në Ulqin kultivohen edhe sasi të mëdha të shalqirit, domates, shegës, fikut…, por problem i madh është se nuk ekzistojnë pikat e grumbullimit të organizuar që do ta rrisnin sasinë e prodhimit dhe të të ardhurave.
Do të ishte edhe më e rëndësishme sikur, për shembull , në Anë të Malit të ndërtohet fabrika e përpunimit të pemëve dhe perimeve, ku do të prodhoheshin lëngjet, reçelërat, marmelatat, kompostot… Përveç se do të kishte asortiment të gjerë të produkteve, punishtja do të punësonte numër të konsiderueshëm njerëzish.
Një fabrikë e tillë (ka hapësirë edhe për disa sikurse kjo) do të nxiste zhvillimin e bujqësisë në Ulqin dhe, me produkte cilësore dhe marketing inovativ, shpejt do ta kalonte rrugën nga një punishte lokale në një nga përpunueset kryesore të pemëve dhe perimeve në rajon.
Shitja e agrumeve në treg mbetet problem i madh për prodhuesit. Tregu i Ulqinit dhe i Malit të Zi është i vogël, prandaj nevojitet ndihma e shtetit dhe lidhja me zinxhirët tregtarë dhe turistik, respektivisht me kompanitë hotelierike.
Një nga njohësit më të mirë të problemetikës agrare në këtë komunë, Xhelal Hoxhiqi, thotë se prej dekadash çdo gjë varet nga iniciativa e sektorit privat. “Nuk ekziston institucioni kompetent për zhvillimin e bujqësisë, mungon plani komunal për zhvillimin agrar, buxheti për bujqësinë është i ulët, në fshatra po zvogëlohet numri i popullsisë dhe pjesa më e madhe e rreth pesëmbëdhjetë agronomëve që ka Ulqini merren me politikë ose tregti”, thekson ai dhe shton se themelimi i Sekretariatit për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit është një hap i mirë.
Ai është i mendimit se të rinjtë duhet të dërgohen në Itali për studime specializimi në fushën e kulturave mesdhetare. Nga ky vend mund të mësohet shumë jo vetëm për teknikat e kultivimit, por edhe për shitjen e produkteve në treg. Përvoja e Italisë tregon se kooperativat janë themeli i mbijetesën së kësaj dege ekonomike shumë të ndjeshme, që është nën presionin e vazhdueshëm të konkurrencës, shpenzimeve të larta të fuqisë punëtore dhe diktatit të zinxhirëve të mëdhenj tregtarë.
Në pazarin e Ulqinit, dikur më të lirin në Adriatik, ku ka më shumë shitblerës sesa prodhues vendor, vetëm atëherë do të ketë më tepër bujq që do të shesin produktet e veta.
Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në Ulqin, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave në kuadër të Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.