Shoqata e Diabetikëve “ Rrethi i kaltër” Ulqin në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit do të shënojë Ditën Botërore të Diabeitit , ditën e hënë , më 14 nëntor, në ora 9.30, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Kryetarja e Shoqatës “ Rrethi i kaltër” Ulqin, VenerandaGjonaj thotë se arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrje për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje,e cila ka pasoja të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh edhe barrën e shpenzimeve për trajtimin, dhe pasojat e tjera që diabeti i shkakton.
“Në kuadër të shënimit të kësaj dite do të ketë aktivitete si: matja falas e nivelit të sheqerit në gjak për të gjithë qytetarët e interesuar, shpërndarja e aparateve, shiritave dhe lançetave për diabetikët që nuk marrin insulinë, kurse atyre që marrin insulinë do t’u shpërndahen vitamina. Po ashtu do të shpërndahen edhe materiale edukativo-shëndetësore”, thekson Gjonaj.
Ajo shton se ky aktivitet i rëndësishëm për të gjithë popullatën vendore të prekur me këtë sëmundje mbështetet financiarisht nga Komuna e Ulqinit, e cila është edhe donatori kryesor.