Për shkak të mosrealizimit të të ardhurave të planifikuara dhe nivelit të lartë të detyrimeve nga pjesa operative e buxhetit komuna e Ulqinit planifikon që së shpejti tek Atlas banka me kamatë prej nëntë për qind të marrë kredi prej një milion e 200 mijë euro.
Nënkryetarja dhe këshilltarja e Unionit demokratik të Shqiptarëve Hatixhe Gjoni vlerëson që ky hap i pushtetit lokal në Ulqin vetëm në afat të shkurtër do të zgjidh problemin.
“Problemi është në mënyrën si shpenzohen paratë dhe si do të shpenzohen në të ardhmen. Me përgjegjësi pohojë që më shumë se 60 të punësuar në Komunë dhe ndërmarrje me kërkesë personale kanë marrë paradhëniet e pagave. E çfarë ndodh me të tjerët që iu detyrohet? Është e qartë që bëhet fjalë për ekzibicione dhe jam e bindur që ky pushtet nuk është në lartësinë e detyrës. Në fund të fundit, kjo gjë shumë shpejt do të vërtetohet”, tha Gjoni.