Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni ka thënë se ka “përparime të rëndësishme në funksionimin e pushtetit lokal”.
“Para së gjithash, mendoj që kemi arritur që shpenzimet e mjeteve buxhetore t’i sjellim në shkallë të lartë të transparencës dhe rregullshmërisë. Për mua ky është një përparim i madh. Kemi miratuar Planin hapësinor urbanistik, si bazë për miratimin e planeve detaje që do të shpejtojë zhvillimin e tërësishëm të qytetit”, deklaroi ajo për “Vijesti”.
Gjoni tha se nuk është e kënaqur me dinamikën e krijimit të kushteve për realizimin e investimeve kapitale, “por rrethanat ishin të tilla”.
Sipas fjalëve të saja, është punuar shumë rreth Kripores dhe Valdanosit. “Si rezultat i kësaj në Planin hapësinor urbanistik kemi artikuluar kërkesat e popullsisë lokale për këto hapësira dhe ky është sukses i këtij koalicioni”, tha ajo duke shtuar se është pranë përfundimit eksproprijimi i tokës në pjesët e qytetit për fillimin e realizimit të projektit kapital të derdhjes së ujërave të zeza.








