GJUHA SHQIPE NË ULQIN

Janë shumë të thella rrënjët e shqiptarëve në Ulqin dhe ato padyshim datojnë që nga themelimi i këtij qyteti të mrekullueshëm në shekullin e pestë para epokës së re. Që nga ato kohëra nëpër këtë rajon kaluan nëntë qytetërime të mëdha (dhe po aq pushtues), kurse shqiptarët gjatë gjithë atyre 2500 viteve ruajtën jo vetëm veçantinë e vet nacionale, por edhe atë kulturologjike dhe linguistike. Ata mbetën të tillë siç ishin, gjithëherë krahëhapur ndaj tjetrit dhe të panjohurit.

Por, një gjë e tillë nuk ishte aspak e lehtë, ngase gjatë këtyre dy mijëvjeçarëve e gjysmë ka patur fare pak periudha prosperitetidhe zhvillimi të gjithëmbarshëm. Nëse analizohen shkaqet se si dhe përse ulqinakët ruajtën përkatësinë e vet nacionale dhe gjuhësore, arrihet deri te dy moment kyçe.

Momenti i parë është insistimi i tyre permanent për një autonomi lokale në kuadër të të gjitha shteteve, nën sundimin e të cilave ndodhej qyteti i tyre, kurse i dyti është afërsia e Shkodrës, i cili tashmë 2500 vite është qendra më e rëndësishme e shqiptarëve dhe qyteti më interesant Ballkanik qendror. Gjithashtu është interesant edhe fakti se Venedikasit dhe turqit, të cilët që nga viti 1421 deri më 1880 administruan këtë qytet, nuk kishin ambicje për t’i asimiluar shqiptarët. Administratori venedikas për Dallmacinë Gjanbatista Gjustiniani, në vitin 1553 i cilëson ulqinakët shprehimisht si shqiptarë (Albanesi), “Parlano lingua albanese, tutta differente della dalmatina”, (flasin gjuhën shqipe, që ndryshon krejtësisht nga ajo dalmatino). Njohësi më i mirë i kësaj treve, historiani kroat me origjinë hebraike, Milan Shuflaj, thekson se në Ulqin shqipja ka qenë gjuhë amtare e të gjithë qytetarëve në shekullin XVI.

Një konstatim të ngjashëm në vitin 1610 e jep kleriku katolik Marin Bici. Ai i shkruan Papës së Romës se “banorët e Ulqinit nuk flasin ndonjë gjuhë tjetër veçse shqipes dhe turqishtes”.

Dhe kjo është më se e vërtetë: populli fliste shqip, kurse administrata mbahej në turqisht. Ishte gjithësesi e rëndësishme që turqishtja nuk ishte gjuha e Kur’anit, përkatësisht se gjuha osmane nuk ka qenë në përdorim në çështjet fetare. Përqafimi masiv i gjuhës shqipe si gjuhë themelore nga ana e imigrantëve të shumtë në Mesjetë, dëshmon edhe për pranimin e fuqisë së kulturës shpirtërore shqiptare në Ulqin.

Gjuha e folur ka qenë mjet komunikimi midis njerëzve, e jo mjet dallimi mes tyre? Së këndejmi edhe hebrenjtë dhe ardhësite tjerë nga veriu i Afrikës, nga Greqia apoMali i Zi i pranuan shqipen si gjuhë të vetën e duke jetuar në mesin e grupit më të madh që fliste këtë gjuhë. Pra, asimilimi gjuhësor, etnik dhe fetar ndodhi në shkallë locale dhe ishte mbi baza vullnetare, i bazuar në ndikimin relativ të grupit që përbënte shumicën.

Turqizmat dhe romanizmat janë edhe tani e tutje realitet dhe fatalitet i gjuhës sonë shqipe, si të asaj të folur, ashtu dhe asaj të shkruar. Ato gjuhës i japin hijeshinë, ngrohtësinë specifike, partinën dhe llojllojshmërinë leksikore, duke mos e cenuar në asnjë mënyrë normën e saj. Pa turqizma dhe romanizma, në kohë të fundit edhe sllavizma, gjuha jonë do të zhvishej nga hijeshitë e saj magjepsëse që e karakterizojnë atë. Por, ajo gjithmonë ka qenë dhe mbetet gjuha jonë shqipe! E për aq më tepër dialekti i tij ulqinak konciz, melodik, i begatë. Është detyrë e jonë historike që ta ruajmë këtë gjuhë të mrekullueshme, në realitet ta ruajmë vetveten. Historia është dëshmitarja dhe mësuesja jonë e mjaftueshme. Jemi pasardhës të dikujt, e me ndihmën e Zotit, do të jemi edhe paraardhës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi