Ish funksionarët e vetëqeverisjes vendore në Ulqin Shemso Hasanagaj, Ramazan Muçaj dhe Vjera Vuçkoviq – Markiq dje në Gjykatën e Apelit, pas dymbëdhjetë vitesh nga ngritja e aktakuzes, u liruan nga akuzat për keqpërdorimin e pozitës zyrtare me elemente korruptive.
Sekretari i dikurshëm i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pasurisë Shemso Hasanagaj dhe zyrtarja e autorizuar për administrimin e proceseve të kundërvajtjes në këtë sekretariat Vjera Vuçkoviq – Markiq u liruan nga akuzat sepse, siç shpjegoi gjykatësi i cili solli aktgjykimin Ratko Qupiq, gjatë procesit nuk është vërtetuar se Komuna e Ulqinit pësoi dëmin i cili është një nga elementet e rëndësishme të veprës penale me të cilën u ngarkuan.
Gjykata e Apelit në rastin e mbrojtësit të dikurshëm Ramazan Muçaj e refuzoi akuzën për shkak të vjetërsimit absolut, meqë veprën gjoja penale e ka kryer në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2000, por gjykatësi Qupiq shpjegoi se, edhe sikur mos të ndodhte vjetërismi, Muçaj do të lirohej nga akuzat për të njëjtat arsye si Hasanagaj dhe Vuçkoviq – Markiq.