Në Gjykatën ekonomike në Podgoricë nesër do të vazhdojë gjykimi në rastin e njohur me emrin „K1“, të cilin Atlas grupi e drejton kundër komunës së Ulqinit.
Grupi i biznesmenit Dushko Knezheviq kërkon 10,5 milion euro nga komuna e Ulqinit për shkak të dëmit i cili është bërë me prishjen e rreth 700 shtëpizave të cilat para 35 viteve në Plazh të madh i ka ndërtuar sindikata e Kosovës.
Atlas grupi në vitin 2002 e ka blerë kompaninë „Rekreaturs“, e cila tre vjet më herët nga Prishtina është riregjistruar në Podgoricë. Por, avokati i komunës së Ulqinit Stanko Mariq pohon që kjo është bërë në procedurë të dyshimtë dhe që për këtë arsye Atlas grupi nuk posedon, të ashtuquajturin, dokumentacionin aktiv dhe pasiv. Ai po ashtu thekson që është e dyshimtë lartësia e dëmshpërblimit.