Gjylie Rexha: FORCË GRUAJE!

Gjylie RexhaMë thuaj si arrin të bartësh barrën e rëndë të largimit të pjesës tënde më të mirë? Si arrin të shohësh në ato flakë dhe tym të kaluarën dhe të flasësh me të gjithë ata të cilët kanë ikur prej kohësh? Nën bardhësinë e rrobave të lashta si ke ruajtur edhe bardhësinë e shpirtit, kur vetmia të është bërë pjesëtare e barabartë në familjen e zbrazur nga ata të cilëve u ke dhënë jetën dhe shpirtin? Edhe flokët të bardha i ke, ashtu si degerminë me të cilën i mbulon, në emër të një tradite – pjesë e botës tënde.

Gjithçka është e bardhë te ti. Tymi i druve të rritura nëpër shkëmbinjtë e fortë si zemra jote, ka nxirë votrën e boshatisur, por nuk ka arritur të prek shpirtin tënd. Ai shpirt ka mbetur i bardhë edhe kur pritjes i është shuar shpresa se ndonjëri ndonjëherë do të kthehet më shpesh. Ti i ke falur të gjithë dhe i kupton aq shumë. Ti njeh thelbin e dashurisë së vërtetë e cila kërkon respektin për lirinë dhe plotësohet vetëm kur tjetri është mirë, pavarësisht se mund të jetë larg. Ti ke shumë emra dhe secili prej tyre të ka bërë nga një rrudhë të thellë në fytyrën që shoh edhe kur të shikoj nga dera e shp’isë që i ke kthyer shpinën. Të gjithë ata të cilët të thërrasin: nanë, nanë ‘madhe, nene, hallë, teze, të kanë falur me apo pa dashje nga një rrudhë, por ti ua ke kthyer vetëm me dashuri të pa fund, pa kërkuar asgjë, madje as që të vijnë më shpesh. Ti ke mësuar heshtjen dhe kujdesin në jetën që e ke jetuar për të tjerët e jo për veten tënde.

Qëndron ende e menduar dhe e rrethuar nga gjithçka që i përket një bote tjetër: asaj ku mësuan të ecin dhe të cilën e braktisën kur fluturuan “zogjtë e nanës”. Ke mbetur si një skulpturë e gjallë në mesin e mureve të gurta, që ruajnë me fanatizëm të shkuarën. Qëndron në mesin e të kaluarës dhe me himnin e heshtjes kërkon që të mos harrojmë se ku ishte fillimi. Je bërë një me votrën dhe e mban të pashuar atë zjarr, jo sepse ke ftohtë por sepse ky është qëllim jetësor për ty: derisa të dal tym nga ai oxhak, deri atëherë dera e asaj sh’pije nuk mbyllet. Gjithçka mund të përshkruaj tek ti, vetëm sytë, sytë tua nuk kam guxim t’i shikoj. Nuk mundem as të mendoj nëse ende lotojnë nga tymi i zjarrit, apo malli i zemrës. E di se janë zhvendosur thellë brenda zgavrave, të lodhur nga pritja tek trina e oborrit; janë dërrmuar duke përcjell ikjet e atyre që u fale jetë; gati janë qorruar moti duke qepur rrobat e grisura të vocërrakëve dikur, apo duke qëndisur pajën e vajzave, që mbase nuk e përdorën kurrë sepse ishte jashtë mode në botën e largët!

Sytë e tu! Sytë e tu janë më të bukurit në botë. Janë ublat që shuajnë etjen e të gjithë të ikurve nga jeta jote dhe të gjithë të falurve nga ti për vetminë që ta kanë lënë shoqëruese.

(Autorja është redaktore në Radio-Kosovë dhe pedagoge universitare në Prishtinë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi