Në organizim të Shoqatës të Artistëve dhe Artizanëve “Globus Art” nga Ulqini në Strugë qëndroi kolonia e artizanëve nga mbarëhapësira shqiptare.
Ramiz Hajdari kryetar i kësaj shoqate tha se kjo organizatë ka qenë organizator kryesor i 14 panaireve të artizaneve në rajonin e Ballkanit dhe bashkorganizator i mbi 25 panaireve, mes të tjerëve edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Korçë.
Ai rrëfen se që kur është themeluar kjo shoqatë ka arritur të ketë mbi 600 artistë dhe artizanë jo vetëm nga trevat shqiptare por edhe nga shtete të ndryshme nga Ballkani por edhe shtete tjera nga kontinenti i Azisë dhe Afrikës.
Shoqata “Globus Art” është formuar në vitin 2013 dhe ka filluar me panairin e artizanatit mbarëkombëtarë në rrethinën e Ulqinit, në fshatin Krythë.
Në Strugë kjo shoqatë është prezantuar me punime të veçanta nga mbarë trevat shqiptare, me punime të ndryshme të qilimave të Shkodrës, Krujës, Gjirokastrës të cilat janë shumë të njohura në Ballkan.