Shoqata e Artistëve dhe Artizanëve “Globus Art” dhe Shoqata Kulturore Artistike“Olcinium”, në bashkëpunim me Komunën e Çairit në Shkup dhe restorantin “Parajsa e Sharrit” në Lisec të Tetovës, gjatë javës që kaloi organizuan prezantimin e valleve dhe artizaneve tradicionale në Shkup dhe Tetovë.
Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesit e shoqatës “Globus Art” zhvilluan disa takime me shoqata të ndryshme kulturore, por edhe me kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun. Përndryshe, shoqata “Globus Art” ka bashkëpunim 7-vjeçar me këtë komunë.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve dhe takimeve është që me rastin e 10-vjetorit të shoqatës “Globus Art”, që shënohet vitin e ardhshëm, të thellohet bashkëpunimi për pjesëmarrjen e shoqatave nga Maqedonia e Veriut në këtë ngjarje, por edhe për pjesëmarrjen e shoqatave nga Ulqini në qytetet tjera të këtij vendi.
Shoqatat nga Ulqini kanë falënderuar për përkrahje restorantin “Parajsa e Sharrit”, me pronar Mezllam Hasani, dhe Komunën e Çairit – Shkup, me kryetar Visar Ganiun.