H. Gjoni: TENTIMI I BETONIMIT TË PARKUT – MËNYRË E QEVERISJES

Hatixhe GjoniShefja e Klubit të këshilltarëve të UDSH-së Hatixhe Gjoni vlerëson që betonimi i parkut në Ranë është një problem më i thellë se çka mund të duket në pamje të parë dhe është pasqyrë e mënyrës së qeverisjes që përjeton Ulqini këto tre vitet e fundit.

“Parku është e vetmja oazë e mbetur e Ranës dhe, sado e pakuptueshme që është për mendjen normale, mua nuk më habit fare plani për betonimin e tij. Tash tre vite, për fat të keq, Ulqini udhëhiqet nga lobi i interesit, grupet që kanë marrë formën e partive të cilat vizionin e zhvillimit të Ulqinit e shohin në prizmën e rritjes së pasurisë së vet. Në këtë periudhë, politikat publike të përpiluara nga pushteti lokal nuk ishin të drejtuara kah përmirësimi i jetës së qytetarëve, përkundrazi, ato kryekëput ishin në dobi të pushtetarëve dhe në dëm të qytetarëve, të qytetit dhe zhvillimit të tij. A nuk janë prova të mjaftueshme për këtë parku dhe parkingu në Ranë, tentimi i ndërtimit të vendbanimit për 23 mijë banorë në Mavrian dhe tentimi i zvogëlimit të kapaciteteve akomoduese në Plazhin e madh duke anashkaluar Masterplanin. Nëse kthehemi pak në kohë do të kujtojmë mënyrën e ‘adaptimit’ të planeve urbanistike të miratuara para 2,3 viteve dhe mospagesën kronike të komunalive, gjë që pjesërisht është arsye e krizës ekonomike në komunë”, tha Gjoni.

Ajo mendon që urgjentisht duhet të ndryshohet diçka në mënyrën e qeverisjes së komunës nga ana e pushtetit aktual, sidomos nëse kemi parasysh që Plani hapësinor-urbanistik ka hyrë në fazën finale dhe ka mbetur pak kohë që ai plan të vendoset në binarët që çojnë drejtë zhvillimit të Ulqinit.

“Prej hapjes së shqyrtimit publik të PHU-së, eksponentët e pushtetit lokal vazhdimisht kërkonin konsensusin e të gjithë subjekteve politike edhe pse nuk kanë bërë asgjë që ai konsensus të arrihet. Opozita gjatë tërë këtij procesi nuk ishte aspak e kyçur në mendimin e strategjisë së veprimit. Ajo fare nuk u konsultua në përpilimin e vërejtjeve që u dërguan ministrisë dhe, madje, materialin e nevojshëm e fitoi tre ditë para seancës së Kuvendit!? Konsensusi në fund u arrit vetëm si vullnet i mirë i opozitës. Për më tepër, edhe shqyrtimi i këtij plani në Kuvend u bë vetëm e vetëm si rezultat i kërkesës së saj. Nuk është qëllimi im që përmes kësaj kritike të përfitojë poena politik, por qëllimi im është që përmes këtij apeli të nxis të veprohet ndryshe prej tani e tutje, nëse e kemi të gjithë në vend të parë interesin e popullit”, tha Gjoni dhe vazhdon:

“Formimi i Keshillit dhe Ekipit ekzekutiv duhet sa më shpejtë të iniciohet. Po ashtu, duhet të formohet Komisioni i ekspertëve, ashtu siç është përcaktuar në përfundimet e miratuara në seancën e Kuvendit”, theksoi Gjoni.

“Nëse nuk veprohet kështu, e gjitha ajo që u fol në Kuvend do të jetë demagogji, përfundimet do të ngelin fjalë në letër, ndërsa e gjithë kjo do të jetë pluhur syve qytetarëve që në fund do të rezultojë me stagnimin e mëtejshëm të qytetit tonë”, përfundon Gjoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi