Para pak ditësh, në këtë sallë, u nënshkrua marrëveshja për konstituimin, organizimin dhe ushtrimin e pushtetit lokal në komunën e Ulqinit, në mes të Forcës së Re Demokratike, Partisë Demokratike të Socialistëve, Koalicionit ,,Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, gjë që, nuk u mirëprit nga shumë qytetarë të komunës së Ulqinit e më gjerë, e sidomos nga mërgimtarët tanë!
Unë nuk jam njeri i aferave as i skandaleve dhe lakmia e pangopur, korrupcioni, mashtrimi, nuk janë fenomene të natyrës time, as dëshira për të triumfuar, as etja për pushtet, as grykësia e pafre, prandaj nuk mund të bëhem pjesë e lojrave politike që shkojnë në dëm të homogjenizimit të faktorit politik të shqiptarëve në komunën e Ulqinit, por shumë shpejt edhe të shqiptarëve në Malin e Zi,
Dikush edhe mund të thojë, mosqofsha në lëkurën tënde, por sado e ngushtë që të jetë, njeriu më mirë ndihet në lëkurën e vet..
Të marrunit me politikë, nuk është çështje personale, por është përgjegjësi e madhe ndaj atyre që përfaqëso.
Unë, po të kisha dashur një shumicë tjetër, e kisha bërë me kohë, drejtëpërdrejtë, por jo kështu, duke ju gënjyer dhe duke e çuar votën atje ku Ju vet keni mundur ta çoni!
Me këtë koalicion edhe mund të fitojë dikush, por humbësi më i madh do të jenë qytetarët e Ulqinit, e më vonë edhe shqiptarët në Malin e Zi.
E di që këto fjalë nuk do t′u pëlqejnë të gjithëve, por më mirë të më urreni kështu si jam, se sa, të më doni ashtu si nuk jam…
Pavarësisht se nuk pajtohem me këtë shumicë, unë nuk kam të drejtë të mos Ju uroj kandidatëve që do të zgjidhen, punë të mbarë gjithmonë në interes të qytetarëve të komunës së Ulqinit!
Si duket, treni është nisur dhe unë s′e ndaloj dot, unë po eci në këmbë, me duar në xhepa, s′po çoj gjë rëndë!
(Hajredin Kovaçi, Këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, fjalimi në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, 21.3.2016)