H.Shabani: DYGJUHËSIA NË SHKOLLA

Haxhi ShabaniNë shkollat në të cilat vijojnë mësimin nxënësit shqiptarë dhe japin mësim mësuesit shqiptarë, gjuha e shumicës së lëndëve në shkollën fillore dhe të mesme, përkatësisht gjuha e mësimdhënies është gjuha shqipe. Shumicën dërmuese të lëndëve e mbajnë në gjuhën shqipe mësimdhënësit shqiptarë, por ndodh që lëndë të ndryshme, si p. sh. gjuhët e huaja për një kohë të gjatë në Shkollën publike të Ulqinit ta kenë mbajtur mësimdhënës joshqiptarë, si p. sh. lëndën e gjermanishtes, të frëngjishtes, të rusishtes dhe të latinishtes. Më përpara ka ndodhur që edhe lëndë të tjera nxënësve shqiptarë t’ju mbajnë në gjuhën MSBK, por edhe sot ka ndonjë rast të rrallë. Kjo ka ndodhur gjithnjë, siç është thënë për mungesë të kuadrit, edhe pse kjo është një pjesë e së vërtetës. Fillimisht, para 30-40 vjetëve edhe mund të ketë pasur mungesë kuadri, por këta mësimdhënës jo shqiptarë janë mbajtur deri në fund të karrierës së tyre, edhe pse, në ndërkohë kanë diplomuar mësimdhënës të profileve përkatëse. Është e qartë situata e nxënies së gjuhës së huaj vështirësohet, kur një gjuhë e huaj mbahet nga një mësimdhënës që nuk di gjuhën e tyre amtare të nxënësve.

Në këtë plan duhet përmendur edhe fakti i mbajtjes së lëndës së historisë në Degën e Edukimit në gjuhën shqipe në Universitetin e Malit të Zi nga mësimdhënësi malazez, pas qëndrimit të prerë të organeve drejtuese të universitetit se kjo lëndë studentëve shqiptarë duhet t’ju mbahet nga një mësimdhënës jo shqiptar. Arsyeja e këtij qëndrimi të prerë lidhet me faktin e qëllimtë se politika zyrtare malazeze ende nuk ka tejkaluar paragjykimet rreth mësimit të historisë, ashtu siç ishte, në marrëdhëniet jo shumë të hershme midis shqiptarëve dhe malazezëve, e njohur edhe momente konflikti të hapët.

Sa u përket dokumenteve shkollore që nga ditarët, dëftesat, amzat dhe administratës shkollore kemi një praktikë e cila është standarde. Të gjitha dokumentet shkollore, me ndonjë përjashtim të rrallë, pjesë e cila është e përgjithshme vijnë të shkruara në dy gjuhë: fillimisht në malazezisht e pastaj në shqip. Kurse pjesa që duhet të plotësohet, në shumicën e rasteve bëhet në shqip, që nga plotësimi i orëve, pastaj raportet e ndryshme, emrat e lëndëve, por dëftesat e diplomat, shumicën e rasteve plotësohen në gjuhën shqipe, por ndodh edhe në të dyja gjuhët, si rezultat i kërkesës së drejtorisë, por nganjëherë edhe të vetë nxënësve, me arsyen se kështu ju duhet për t’u regjistruar në Universitetin e Malit të Zi.

Një nga aspektet, që duhet trajtuar sa i përket përdorimit të gjuhës në shkolla në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe është varianti gjuhësor që përdoret nga mësimdhënësit dhe nxënësit gjatë orëve të ndryshme të mësimit.

Shumica e mësimdhënësve, me përjshtime të rralla të mësuesve të gjuhës shqipe, përdorin një variant në kuptimin e plotë të fjalës të pëzier që nuk është as e folme e tyre e vendlindjes, as gegërishte, po as variant standard.

Ka jo pak të atillë që ngurrojnë të flasin në gjuhën letrare nga frika se nuk do t’i pranojnë mjedisi ku jetojnë dhe veprojnë, në të vërtetë se do t’i përqeshin, do t’i quajnë mendjemdhenj etj. Nga kjo frikë ata edhe në orë të mësimit flasin në gjuhën lokale, që më duket se nuk është e lejueshme asesi”. Madje edhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe (në pjesën urbane të Ulqinit), në kontaktet e tyre me nxënës në pushime e veprimtari të lira jo vetëm që nuk përdorin standardin, por edhe përdorin fjalë të gjuhëse malazeze që i shfrytëzojnë edhe vetë nxënësit, si p.sh, fjalën slikë-fotografi, slikat-fotografoj.

Gjuha dominuese e mbledhjeve të ndryshme të Këshillit të arsimtarëve, është gjuha malazeze. Shumica dërmuese e mësimdhënësve shqiptarë diskutojnë në gjuhën malazeze, edhe pse ata janë shumicë, në të shumtën e rasteve, në krahasim me kolegët e tyre që gjuhë amtare kanë MSBK-ën. Kështu ndodh edhe kur edhe vetë drejtori i shkollës është shqiptarë, si p.sh në Shkollën e mesme publike të Ulqinit. Kështu nuk ndodh vetëm në gjimnazin privat Drita në Ulqin, ku mësimi zhvillohet vetëm në shqip, por edhe këtu kur merr pjesë mësidhënësja e gjuhës malazeze, për shkak të saj ndonjë pjesë e diskutimit, jo vetëm nga ajo por edhe të tjerët në rastin kur flitet për këtë lëndë, komunikimi zhvillohet në gjuhën malazeze, edhe pse mësimdhënësja e kësaj gjuhe pohon se e kupton gjuhën shqipe.

Sa i përket mbikqyrjes së nivelit të mësimdhënies nëpër shkollat ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, ai bëhet nga inspektorë jo shqiptarë, me përjashtim të atij të gjuhës shqipe dhe të ndonjë rasti tjetër të rrallë. Ata të gjithë pa përjashtim ju dërgojnë shkollave raporte të shkruara në gjuhën malazeze.

Tekstet shkollore, me përjashtim të teksteve të letërsisë dhe të gjuhës shqipe që janë të shkruara në orgjinal, të gjitha tekstet e tjera janë përkthime, përfshirë këtu edhe atë të historisë. Gjuha e këtyre teksteve, përveç problemit të mospërshtatjes për nxënës shqiptarë, pra duke përdorur në mënyrë ekskluzive ta zëmë emra sllavë edhe në variantin e përkthyer kanë edhe probleme përkthimi.

(marrë nga punimi „NIVELET E NDRYSHME TË DYGJUHËSISË TE SHQIPTARËT NË MALIN E ZI”, KOD, Mars 2014)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…