Dështimi i investimit në Kalan e Ulqinit, nga rusi Kibalçiç si dhe mosinteresimi i shtetit për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e turizmit, bëri që dy-tri vitet e ardhshme mos të kemi asnjë lëvizje në këtë drejtim. Mirëpo, numri i turisteve, për kundër kushteve jo të mira, rritej si për ka numri ashtu edhe struktura. Kjo ndikoi në rritjen e interesimit për investime në banjat e Ulqinit, kështu që brenda 15 ditëve të muajit prill-maj 1911, komunës së Ulqinit iu paraqiten dy kërkesa për ndërtimin e hotelit dhe kabinave në plazhë.
- Përseri refuzohen kërkesat për investime në banjat e Ulqinit
Reagimi i Këshillit Komunal të Ulqinit ndaj kërkesës së Uskokoviqit ishte i menjëhershëm. Këshilli u mblodh të nesërmën, më 28 prill 1911 dhe vendosi që mos të aprovohet kërkesa, sepse njeherë për njëherë nuk është e mundur të merret një vendim (nr.462-1911-41), sidomos për pikënII, pasi çështja e koncesionit për varoshin dhe interest e tij është pyetje shumë delikate, prandaj Këshilli Komunal mendon se duhet të mendohet gjatë dhe kjo t’u jepet në studim dhe referim këshilltarëve komunal Popit Jovan Vujanoviqit, Ibrahim Sadikut, Nikollë Picës, Jovan Koçoviqit, të cilit në afatin prej 15 ditësh duhet t’i referojnë kryetarit të komunës.
Komisioni për vlerësimin e kërkesave të Uskokoviqit dhe Shoqërisë të Ulqinit të përfaqësuar nga Petar Vuksanoviqi dhe Nikollë Shabani, më 15 maj 1911, pasi shqyrtoi kërkesat e tyre dha këtë m e n d i m: “Është më të vërtetë e nevojshme që banjat tona të ofrojnë kushte më të mira, dhe në të vërtetë mendimin e kërkuasve e ndajmë edhe ne vet, por duke e studiuar thellësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke llogaritur se Ulqini është në prag të punimeve të mëdha, kemi ardhur të mendimi që, si atyre ashtu edhe të tjerëve, banjat mos t’u jepen me koncesion me kohë më të gjatë… dhe për këtë arsye jemi që të refuzohen kërkesat dhe si pas mundësisë për këtë çështje të kujdeset drejtoria komunale që të vendos numrin e nevojshëm të kabinave, e poashtu të ndërtojë barakën e vet, të cilat do t’i jepshin në akand me qira…”. Shikuar në retrospektivë, jo vetëm në atë kohë, por edhe shumë më vonë shteti në Ulqini nuk ka vepruar në frymën e zhvillimit të turizmit dhe infrastruktures në qytet, sepse Ulqini s’ka qenë asnjëherë në prag të punimeve të më dha sa që të pengohen investimet e investitorëve privatë. Gjithësesi, kjo mënyrë e vendosjes për zhvillimin e Ulqinit na ka përcjellë e po na përcjellë dhe sot e kësaj dite. Si pasojë e mendimeve apo politikave të tilla, përkundër resurseve dhe mundësive të medha sot e kësaj dite Ulqini është komuna më pak e zhvilluar në bregdetin malazez!
Më 17 maj 1911, Këshilli Komunal i varoshit të Ulqinit, në bazë të përfundimeve të Komisionit për vlerësimin e kërkesave, me vendimin nr. 551, refuzoi kërkesën e Uskokoviqit për koncesion që ka të bëjë me ndërtimin e kabinave dhe kafenesë në Ranë. Përsa i përket ndërtimit të hotelit Këshilli vendosi se mund të ndërtohet por pa pasur lidhje me koncesionin, kabinat e barakat në Ranë dhe i sugjeruan që të bëjë një kërkesë të veçantë dhe pastaj Këshilli do të vendos se a do t’i japë lehtësime apo jo. Refuzimin e kërkesës Keshilli e arsyeton me faktin se varoshi nuk ka plan rregullator dhe se dhënja e koncesionit në fjalë, tani për tani mund të ketë pasoja të dëmshme për interesat e komunës! Vendimin e nënshkruan këshilltarët komunal: Toger S.Resulbegoviqi, oficir Selim Mujalloviqi, Amer A.Kasmi, Bimo Sadiku, Andrija Matanoviqi, Nikolla Pici, Cafo Mavriqi, J.Pavlloviqi, Jovan Koçeviqi dhe Vukale Jankoviqi, nderčsa kryetar i Komunčs ishte Ilija Srzentiqi.
Siç vërejmë mungesa e planit rregullator të Ulqinit dhe interesat personale apo politike, si do të shohim më vonë, na qenka trashëgimi nga e kaluara historiko-politike e këtij qyteti dhe rrjedhimisht zhvillimi i Ulqinit, në të gjitha sferat e jetës, mban vulën e politikës hileqare që nga dita e aneksimit nga Mali i Zi (1880) e deri më sot!
Gjithësesi, interesimi i qytetarëve për t’u marrë me turizëm, nga njëra anë dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve në banjat e Ulqinit, tashmë aq në zë, nga ana tjetër vërteton se zhvillimi i turizmit për ulqinaktë, që nga ato kohëra ka qenë synim. Larja në det u bë traditë ndërsa cilësit shëruese të rërës në banjat (plazhet) e Ulqinit e rriten edhe më shumë interesimin për zhvillimin e kësaj dege fitimprurëse të ekonomisë. Populli u ndërgjegjësua, kërkonte mënyra dhe rrugë për të levizur nga hiçi, kërkonte zhvillim, ndërkaq natyra e kishte pajisur Ulqinin me resurse të mjaftueshme për zhvillimin dhe përparimin e turizmit e rrjedhimisht edhe të qytetit dhe të mirëqenjes qytetare në përgjithësi. Por, shteti nuk veproi, nuk bëri asnjë hap në zhvillimin e këtij qyteti edhe pse kushtet ekzistonin. Për shkak të mosinteresimit të shtetit Ulqini gjasonte në një vend të shkatrruar! Deputeti i Ulqinit në Kuvendin Popullor të Malit të Zi, Jovan Gjurashkoviqi, në propozimin e tij, dërguar Kuvendit Popullor në Cetinë më 28 shkurt 1914, ndër të tjera kishte konstatuar: “Qyteti i Ulqinit me rrethinë, qarku më i bukur dhe më romantiku në bregdetin serb, gjendet në atë gjendje të mjeruar, sa që, unë mendoi se në të gjithë siujdhesën ballkanike nuk ka qark më të lanur pas dore, ndërsa për vendet bregdetare as që bëhët fjalë. Fillimi i shkatërrimit të këtij vendi, nuk do të them në kulturë veç se në ekonomi dhe të tjera, daton nga dita kur ushtria jonë e ka çliruar nga Turqit”!