Të bëhesh sportist i suksesshëm është një nga ëndrrat më të bukura të çdo fëmije. Mirëpo, duke ditur se sporti, përveç që është një nga lëmit më të bukura, është edhe një nga aktivitetet më të vështira fizike, atëherë ta realizosh këtë ëndërr vërtet duhet shumë mund e sakrificë. Kjo ëndërr të ndanë nga çdo qejf fëmijëror dhe rinor. Pavarësisht kësaj, të merresh me sport është me të vërtet kënaqësi e madhe, por në Ulqinin tonë të dashur, siç po duket, edhe e pa mundur.
Për fat të keq, sporti në Ulqin gjendet në situatë të vështirë. Kriza ekonomike dhe mungesa e përkrahjes nga institucionet lokale kanë bërë që sporti i Ulqinit të jetë në gjendjen e “vdekjes klinike”. Meqenëse tash disa vite ndër prioritetet e drejtuesve të pushtetit lokal mungon sporti, “reanimacioni” aq i nevojshëm mungoj.
Me miratimin e Buxhetit të komunës së Ulqinit për vitin 2014 pushteti aktual edhe njëherë diskriminon sportin, në këtë rast edhe kulturën, kur parashikon qe buxheti për sport dhe kulturë për vitin 2014 të jetë vetëm 40.000 euro! Se sa qesharake është kjo shifër e kuptojmë nëse bëjmë një krahasim të thjesht me mjetet që ndajnë komunat tjera. Komuna e Tivarit ka planifikuar buxhetin për sport dhe kulturë për këtë vit 550.000 euro, ndërsa komuna e Budves 2.100.000! Besoj që është e qartë pse fëmijët nga Ulqini e lëshojnë sportin, ose ato më këmbëngulësit vazhdojnë stërvitjet në klubet e këtyre dy qyteteve.
Të dashur udhëheqës!
Sportistët janë fytyra e bardhë e këtij qyteti. Janë ato që japin atomin e fundit të fuqisë për të prezantuar qytetin e vet, Ulqinin, në mënyrë sa më dinjitoze. Ato janë ambasadorët e këtij qyteti. Prandaj, sportistët nuk duhet të dëshmojmë se sa të rëndësishëm janë për shoqëri.
Shpesh kemi rastin të dëgjojmë të përmendni investimet kapitale. Ju lumtë! Por, deri sa të fillojnë ato investime, Ju lutem, merruni me investimet reale, sepse fundja, nuk mund të ketë qytet turistik pa sport dhe kulturë. Investoni në të rinjtë e këtij qyteti. Përndryshe, të gjitha premtimet që keni bërë për sportin do të kuptohen si lojë me ndjenjat e fëmijëve, të rinjve, sportistëve dhe sportdashësve.
Me këtë rast dëshiroj të ftoj të gjithë punëtorët e sportit, nga të gjithë klubet, të bashkohemi drejt një qëllimi. Të kërkojmë vetëm atë çfarë na takon, sepse me problematikën e sportit duhet të merremi ne, sportistët.
Sporti i bënë njerëzit më të njerëzishëm seç janë, më të disiplinuar, më fisnik, prandaj duhet të ndjekim këtë rrugë. Të merresh me sport është privilegj dhe këtë privilegj nuk mund ta kenë të gjithë.