Organizata Botërore e Turizmit e përkufizon turizmin e qëndrueshëm si administrim të burimeve për të përmbushur nevojat ekonomike, sociale dhe estetike duke respektuar integritetin kulturor, proceset themelore ekologjike, shumëllojshmërinë biologjike dhe sistemet në të cilat bazohet jeta, krijohen përfitimet dhe mirëqenia e shoqërisë në tërësi duke marrë parasysh nevojat e turistëve dhe të mikpritësve të tyre.
Në këtë kontekst, turizmi i qëndrueshëm është veprim i planifikuar me qëllime afatgjata që nuk shkakton shkatërrimin e mjedisit, por respekton vlerat ekonomike, sociale, ekologjike dhe kulturore të destinacionit ku zhvillohet.
Për një komunë siç është Ulqini, kjo është sfida më e rëndësishme, sepse rreth 80 për qind e të ardhurave, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, gjenerohen nga turizmi. Kjo do të thotë se vetëm një sezon turistik i dobët ka ndikim të madh në gjendjen ekonomike të shumicës së banorëve të kësaj komune.
Në të njëjtën kohë, hapësira, por edhe përjetimet, po harxhohen. Së bashku me ndërkulturalizmin, ata janë burimi më i rëndësishëm i Ulqinit. Prandaj, turizmi i qëndrueshëm është administrim i zgjuar dhe i përgjegjshëm i burimeve turistike – nga vlerat kulturore deri te pasuritë natyrore, dhe çështje e ekzistencës së banorëve të saj.
Pra, Ulqinit i nevojitet një zhvillim i qëndrueshëm ashtu siç i nevojitet ajri dhe uji. “Njeriu vdes nga hipertensioni. Zhvillimi i bazuar në sigurimin e cilësisë për mysafirët dhe ruajtjen e ekzistencës afatgjate të popullsisë vendase është perspektiva e vetme e dëshirueshme dhe e mundshme për zhvillimin e turizmit të Ulqinit dhe të ekonomisë në përgjithësi”, thoshte punonjësi i vjetër i turizmit, Xhaudet-Xho Abazi, duke vërejtur se qëndrueshmëria nënkupton të jetuarit dhe të shfrytëzuarit e burimeve në mënyrë që të ketë mjaftueshëm për të gjithë, se pasuritë që na janë dhuruar për përdorim, duhet t’i lëmë në trashëgimi edhe atyre që do të vijnë pas nesh.
Për më tepër, bukuritë natyrore të kësaj komune nuk janë vetëm të jonë. Ato janë shtetërore, mesdhetare, evropiane, dhe, po të doni, edhe botërore. Prandaj, për shembull, një numër shumë i madh i zyrtarëve të institucioneve evropiane janë të interesuar për ruajtjen e biodiversitetit në Kripore. Atje janë regjistruar mbi 250 lloje zogjsh, duke përfshirë dhe flamingot, ose gjysma e atyre që ekzistojnë në Evropë. Kriporja, derisa prodhohej kripa, ishte shembulli më i mirë i zhvillimit të qëndrueshëm, simbiozë e mjedisit natyror dhe e aktivitetit njerëzor. Si e tillë, ajo punësonte mbi 400 njerëz, ishte simbol dhe ushqyese e Ulqinit.
Por, tash dhjetë vjet, ajo është bërë një problem për shkak të veprimtarisë dëmtuese. Problem gjithnjë më i madh është edhe erozioni i plazheve të Ulqinit, ndërtimi në Ullishtë, rrëmuja e madhe gjatë sezonit veror… Prandaj, realizimi i projekteve nga Strategjia e Zhvillimit të Komunës deri në vitin 2028 bëhet prioritet për vendimmarrësit, për të zhvilluar Ulqinin në mënyrë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në Komunën e Ulqinit, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Stimulimin e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e Ministrisë.