Drejtori ekzekutiv i OJQ “Hapi i gjelbër” Xhelal Hoxhiq ka ftuar kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi Ranko Krivokapiq që për Ditën e Tokës, me 22 prill, të caktojë mbledhjen e Parlamentit malazez në Ulqin. “Dhe atë në ambient të hapur, afër baseneve të Kripores dhe motrës së saj Port Milenës”, thuhet në letrën e Hoxhiqit.
Shtohet që nëse kjo nuk do të ishte e mundur, atëherë Krivokapiqi me nënkryetarët e Kuvendit, shefat e klubeve të këshilltarëve dhe kryetarët e këshillave për ekonomi dhe turizëm duhet të vijnë në Ulqin dhe të binden vet se në çfarë gjendje janë këto lokalitete.