Nga data 17 deri me 20 maj, një delegacion i zyrtarëve nga Kosova, realizoi një vizitë studimore në Mal të Zi. Në këtë program morën pjesë zyrtarë të lartë nga 6 komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Lipjan, Suharekë dhe Shtërpce), përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Vendor si dhe përfaqësues të Misionit të GIZ-it në Kosovë.
Qëndrimi i këtij delegacioni në Mal të Zi u realizua në kuadër të projekti “Mbështetje për Ministrinë e Financave të Kosovës” të cilin e realizon konsorciumi i udhëhequr nga GIZ, e i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, duke ofruar mbështetje teknike në fushën e programimit ekonomik dhe decentralizimit fiskal.
Ndër aktivitetet e këtij projekti, është edhe vizita studimore qeverisjeve vendore në Mal të Zi, e cila kishte për qëllim fuqizimin e përfaqësuesve të komunave nga Kosova për përvojat pozitive dhe sfidat lidhur me përcaktimin e shkallës së tatimeve lokale, mënyrën e vjeljes së tatimeve dhe taksave, por edhe për mundësitë e rritjes së të ardhurave vendore nga burimet vetanake.
Ndër komunat që ky delegacion vizitoi në Mal të Zi ishin: Podgorica, Komuna urbane e Tuzit, Tivari dhe Ulqini.
Sesionin prezantues në Komunën e Ulqinit e udhëhoqën: Agron Ibrahimi – shef i i thesarit dhe këshilltar për investime të kryetarit të komunës Fatmir Gjeka, Sheribane Mehmeti – këshilltare e lartë në sektorin e tatimeve si dhe Maliq Sinani – koordinator i sektorit të inspeksionit për të ardhurat publike lokale.
Programin e qëndrimit të këtij delegacioni në Mal të Zi e koordinoi Nazif Veliqi nga OJQ “Horizonti i Ri” Ulqin.