Dje në zyrat e OJQ “Horizonti i ri”në Ulqin u mbajt konferenca për media gjatë së cilës u prezantuan rezultatet e hulumtimit mbi raportin e të rinjve ndaj medias, nivelin e konsumimit të mediave si dhe burimet e informimit të të rinjve shqiptarë në Malin e Zi.
Hulumtimi është kryer me 200 të rinj nga Ulqini dhe Tuzi dhe paraqet një analizë të veçantë se si të rinjtë shqiptarë në Malin e Zi përdorin mediat dhe teknologjitë e reja të informacionit.
Rezultatet e këtij hulumtimi do të ndihmojnë në hartimin e strategjive të ardhshme për të promovuar edukimin mediatik dhe për të plotësuar nevojat e tyre specifike në këtë fushë.
Ismet Kallaba, një nga konsulentët profesional të këtij projekti, deklaroi që sipas rezultateve të këtij hulumtimi, prirjet e të rinjve në Mal të Zi në këtë fushë janë të ngjajshme me prirjet e bashkëmoshatarëve të tyre në botë.
Kallaba ndër të tjera u ndal edhe tek fakti që të rinjtë janë të fokusuar tek mediat e reja, duan informacion të gatshëm, të shpejtë dhe të shkurtër.
Nga ky hulumtim sipas tij u kuptua që rrjeti social i preferuar i të rinjve rezultoi të jetë Instagrami, pasuar nga Facebook-u, Tik-Tok-u dhe Twitter.
Këto të dhëna sipas tij do të duhej të shërbenin si kritikë ndaj medias në gjuhën shqipe në Mal të Zi që në të ardhmen të ofrojnë më shumë informacion në rrjetet që përdoren nga të rinjtë dhe me interes për ta.
Kallaba u ndal edhe tek nevoja e edukimit mediatik të të rinjve, 65 % prej të cilëve që morrën pjesë në anketim do të donin që edukimi mediatik të jetë pjesë e programit mësimorë.
Arta Muça, një nga anëtaret e grupit punues, deklaroi që ky projekt mund të shërbejë si platformë e mirë për studimin e medias.
Edhe Muça apeloi tek mediat që të përpiqen të ofrojnë përmbajtje më interesante për të rinjtë, duke përdoruar të gjitha kanalet për të tërhequr këtë target grupë.
Nga “Horizonti i Ri” ftojnë institucionet që t’i përkrahin mediat në këtë drejtim.
Përfshirja e lëndës mësimore për edukim rreth medias në programin shkollorë u cek disa herë gjatë kësaj konference duke u cilësuar si një hap shumë i rëndësishëm i cili duhet ndërmarrë në të ardhmen në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Kjo analizë është pjesë e projektit “Fuqizimi i të rinjve për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik” i cili mbështetet nga Ambasada e SHBA në Podgoricë, në kuadër të programit “U.S Embassy’s 2022 Media Professionalization Assistance Program”.
A.Resulani