Sot në hapësirat e hotelit “Mediteran” në Ulqin, OJQ Horizonti i Ri në bashkëpunim me shoqatën “Eduko Plus” organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat e raportimit mediatik në gjuhën shqipe“, në të cilën morën pjesë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të medias nga të gjitha trevat shqipfolëse në Mal të Zi, por edhe nga rajoni.
“Në një shtet multietnik siç është Mali i Zi, ku harmonia ndërmjet komuniteteve të ndryshme është themel i bashkëjetesës sonë,ne duhet të sigurojmë që secili qytetar të ketë qasje të barabartë në informacione të sakta dhe të besueshme në giuhën e tij amtare. Kjo qasje është thelbësore për ruajtien e identitetit kulturor dhe për rritjen e përfshirjes së pakicave në proceset politike dhe shoqërore”, tha drejtori i përgjithshëm në Drejtorinë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave e të popujve pakicë dhe pakicave të tjera në Qeverine e Malit të Zi Arben Xhurreta.
Panelistët ndër të tjera diskutuan rreth problematikave me të cilat ballafaqohen mediat shqipe në Mal të Zi, me qëllim gjetjen e mënyrave më të përshtatshme për zgjidhjen e tyre. Mbi rolin e gazetarëve në debatin publik, raportimin mbi ngjarje dhe trajtim të çështjeve me interes për publikun, foli prof. Sefer Tahiri nga Maqedonia e Veriut. Ai ndër të tjera u ndal edhe tek raportimi mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, duke sjellë shembuj dhe ilustrime se si plasohen dezinformimet ne media në baza etnike.
Gazetari vendas nga Televizioni i Malit të Zi, Dr. Haxhi Shabani ka shpalosur qëndrimin e tij rreth problematikave kryesore të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Në prezantimin e tij, ndër të tjera ai nënvizoi se “Shqiptarët në Malin e Zi në mediat publike nuk kanë përfaqësim proporcional, në mediat kombëtare janë të papërfshirë, në mediat ndërkombëtare kanë përfaqësim simbolik, kurse tregu i mediave private i tyre është shumë i vogël”.
Rreth rolit të medias në sensibilizimin e opinionit për çështjet identitete të shqiptarëve në Mal të Zi, foli analisti nga Malësia, Robert Camaj.
Gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët një vëmendje e veçantë i është kushtuar funksionalitetit të Redaksisë në gjuhën shqipe në Servisin Publik të Malit të Zi. Për gjendjen aktuale në këtë redaksi dhe mundësitë për avancimin teknik dhe profesional të sajë, kryeredaktori i kësaj redaksie z. Senad Gilaj.
Ismet Kallaba, pedagog i gazetarisë dhe gazetarë në revistën “Koha javore” elaboroi disa dukuri dhe sfida me të cilat ballafaqohen media shqipe në Malin e Zi, duke përshirë mediat lokale, private apo publike dhe mediat qe funksionojnë ne nivelin shtetëror.
Eksperiencën nga një medie lokale, ku shqiptarët janë një pakicë e vogël, por ku punohet me shumë entuziazëm, për të pranishmit e solli gazetari Artan Daci nga Televizioni i Rozhajës.
Projekti zbatohet në partneritet me OJQ “Eduko Plus” nga Tivari, si pjesë e konkursit publik “Diversiteti pasuron Malin e Zi” për financimin e projekteve të organizatave joqeveritare për vitin 2024”, financuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.