“Komuna e Ulqinit nuk ka plan lokal ekologjik, edhe pse kjo është detyrim ligjor. Sikur ta kishte, problemet e ndotjes dhe deponive ilegale do të ishin të evidentuara, si dhe mënyra dhe afatet e zgjidhjes”, ka deklaruar udhëheqësi i Shoqatës ekologjike “Hapi i gjelbër” Xhelal Hoxha.
Ai për “Dan” tha që duhet të pyetet lidershipin e komunës pse Ulqini nuk ka një akt të tillë, të cilin e kanë punuar gati të gjithë vetëqeverisjet lokale në vend.
Sipas fjalëve të tija, problemet ekologjike sidomos i bëjnë dëm imazhit turistik të Ulqinit. “Kanalizimet në vende të hapura dhe mbeturinat e çdo lloji nuk janë fotografia që mysafirët duhet ta shohin çdo vit. Këto janë problemet që zgjasin shumë dhe duhet të zgjidhen nëse mendojmë që turizmin ta kemi në nivel”, shtoi Hoxha.