Deklaratë për media të kryetarit të Këshillit komunal të SD-së në Ulqin, Qazim Hoxhiq.
Koalicioni “Fillim i Ri“ është subjekti i vetëm që para qytetarëve të Ulqinit doli me kandidatin për Kryetar të Komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale të planifikuara për datën 27 mars. Ky fakt ndër të tjera na veçon nga listat tjera që nuk kanë kandidat të kristalizuar për njeriun e parë të Ulqinit, ndërsa zgjedhjet janë për dy javë.
Pikërisht kjo marrëveshje, që u arrit nga përbërësit e koalicionit tonë përpara formimit të tij, garanton formimin e shpejtë të qeverisë, që për momentin ka një rëndësi dhe peshë të veçantë .
Sezoni turistik është para nesh , ndaj shumë shpejt pas formimit të qeverisë , do të nisim përgatitjet serioze për një sezon të suksesshëm dhe të frytshëm turistik.
Është e qartë se koalicioni ynë është një hap para subjekteve të tjera politike, si në aspektin programor, ashtu edhe në zgjidhjet e kuadrove. Neve me formimin e këtij koalicioni kemi bërë një hap të rëndësishëm dhe kemi treguar se, pavarësisht se vijmë nga parti të ndryshme politike, jemi të gatshëm t’i lëmë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet tona për të punuar në të mirë të Ulqinit dhe të bashkëqytetarëve tanë.
Unë besoj në këtë koalicion dhe besoj në fitore. Është koha për ndryshim, për disa njerëz të rinj dhe energjinë e re që mbart lista jonë. Koha për njerëz të rinj dhe të aftë që janë të gatshëm të punojnë për të gjithë qytetarët e Ulqinit, për përparimin e qytetit tonë.