Drejtuesi i Shoqatës ekologjike “Hapi i gjelbër” Xhelal Hoxhiq ka thënë se në konstatimin e tij që Ulqini këtë vit ishte i pistë në sezon nga Ndërmarrja komunale erdhi demanti i paqartë dhe i paargumentuar.
“Unë nuk dyshoj në qëllimet e mira të drejtorit Katana, por kemi të bëjmë me diçka tjetër. Katana i ka duart e lidhura, pak ose aspak pyetet, ndërsa personat nga Këshilli drejtues, kuadrot partiak, “ekspertët” për gjithçka, e më së shumti për interesat personale, kanë bërë Katanën person të dëgjueshëm, e jo drejtor të mirë”, tha Hoxhiq.
Ai tha se për shkak të mospagesës së punës së natës, mbledhja e plehrave në qytet bëhet prej orës 7 deri në 8. “Në kohët e lumtura kjo punë në Ulqin është kryer prej një deri në pesë të mëngjesit”, shtoi Hoxhiq dhe ftoi të shikohet si duket hapësira para urës në Bunë, nga ana e djathtë, e cila është shndërruar në deponi të cilën e përqeshin dhe e fotografojnë turistët e shumtë.