Rreth 60 për qind të qytetarëve të Ulqinit janë të kënaqur me punën e administratës lokale në 18 muajt e fundit, sipas rezultateve të anketës së 500 të anketuarve të realizuar këtë muaj nga agjencia DAMAR nga Podgorica, mëson Portali Ul-info.
Rreth 15 % të qytetarëve janë të pakënaqur me efektet e pushtetit komunal, ndërsa 25 % e ulqinakve të anketuar nuk kanë dhënë përgjigje në këtë pyetje.
Anketa ka treguar se shumica e qytetarëve (56.5%) janë të kënaqur me punën e kryetarit aktual të Komunës Omer Bajraktarit, 12 % janë të pakënaqur, ndërsa gati një e treta e të anketuarve kanë qenë të pavendosur.
Qytetarët e Ulqinit vlerësojnë se progresi më i madh është arritur në fushën e investimeve (38.7%), pastaj në uljen e korrupsionit (20.3%) dhe vlerësojnë financat publike (13.1%).
Qytetarët shprehin kënaqësinë më të madhe për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe pastërtinë e hapësirave publike. Njëkohësisht, pakënaqësia më e madhe u shpreh në lidhje me problemin e qenve endacakë, hapësirat e parkimit dhe furnizimin me ujë.
Një shumicë e konsiderueshme e të anketuarve (69.1%) besojnë se qyteti po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa një nga pesë qytetarë të anketuar, ose 20 %, është i bindur në të kundërtën.
Anketa ka treguar se një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve – 52.8% besojnë se në Ulqin ka pasur ndryshime pozitive, 11.9% kanë mendim negativ, ndërsa (33.1%) qytetarët besojnë se nuk ka ndryshime të rëndësishme.