Këshilli organizues i Bashkësisë lokale të Ostrosit, qendër e Krajës, ditën e hënë, ka miratuar vendimin që veprimtaria tradicionale gjithëpopullore ,“FESTA E GËSHTENJAVE 2015”, të mbahet më 14 nëntor.
Kështu na informoi përfaqësuesi i këtij këshilli, BEQIR HASANI, bashkërendues i manifestimit. Ai na tha se përveç mbështetjes financiare të Komunës së Tivarit, që i takon kjo zonë, kemi përkrahjen edhe të Ministrisë së bujqësisë dhe të zhvillimit rural, si dhe të donatorëve vendorë dhe lokal nga Kraja, Ana e Malit, Ulqini dhe Tivari…
“Si përherë,vizituesit do të kenë rastin të shijojnë kështenja të pjekura,peshk dhe gatime tjera tradicionale të zonës.Sigurisht se do të ketë edhe program argëtues festiv,ku do të marrin pjesë këngëtarët tanë nga viset etnike shqiptare në Malin e Zi, shpresojmë që festën tonë ta bëjë edhe më madhështore “SOFRA SHKODRANE!”, shprehet bashkërenduesi i veprimtarisë, z. Hasani.
Ai shton se, duke marrë parasysh natyrën edhe traditën e organizimit të kësaj veprimtarie gjithëpopullore te një treve të pasur me pemën dhe cilësinë e rrallë të gështenjave,do të tregojnë interesim për ta mbulluar edhe mediat vizive, radiofonike dhe të shkruara nga Mali i Zi,Kosova dhe Shqipëria.
“Me shumë respekt dhe ndjenja të dashurisë vëllazërore do të prisnim bashkëkombëtarët tanë nga vendet perëndimore, sidomos nga Amerika për të stimuluar edhe porositur kranjanët që jetojnë këtu, mos ta braktisin vendlindjen”, na thotë një vendës i moshuar,shumë i emocionuar që Kraja po shpopullohet.