Përralla e dashurisë
Dashurinë e vodha nga një përrallë
Nën lëkurën e një tjetri jam.
Oh! Hiqmani këtë kurm!
S’e dua më, tash jo.
Këmbët e mia, krahët
Me forcë po i shqis,
Fytyrën, vijëzimet e duarve,
Me endje i gris.
Plot aromë të njomë aguliçesh
Shpirtin flladis.
Në ujëra të qashtra kristal,
Rizgjohem Narcis.
Oh, dashuri! Si prafullimë
Xixëllon në damarët e mi.
Moj Zanë idhnake,
Nuk jam aspak ,
Më e paktë nga ti.
Jam poezi
Jam një lug i gjerë,
murrak e vrungullues.
Mes dhembjes e lumturisë,
mes mëkatit e shenjtërisë
Bëhem vello e gjatë
mbi ëndrra të bardha.
Ngjizur ndër tinguj,
mes vargjesh kreshpëruar.
Si pëshpëritje dashurie
Mbi buzën e nxehtë të gruas.
Jam fantazma binjake
E kupës qiellore
Kështjell’ e fjalës krenare
E brishtë, e pamposhtur, idhnake.
Jam poezi.
SQARIM: Në Festivalin e sivjetmë ndërkombëtar Albansk poesi “Sofra poetike Boras 2018 ,i shtati me radhë që mbahet në Suedi, poetesha durrësake Gladiola Busulla Jorbus,mbesë e Ulqinit,u nderua me çmimin e dytë.Mbesa e Ulqinit,pjesëmarrëse edhe në festivalet poetike në Ulqin,nga juria profesionale u vlerësua me këtë çmim, në mes të autoreve shqiptare, suedeze, islandeze, çeke, bullgare, kurde e ruse. Përg.I.Berjashi