Duke u nisur nga ajo që nga ideja deri tek realiteti është rrugë e gjatë por jo e pa arritshme , dhe që realja në një mënyrë rrjedhë nga idealja, kuptojmë që këto dy koncepte janë të ndërlidhura. Si rezultat i kësaj, mund që çdo kush nga ne të ketë ide të caktuara për çështje të caktuara në shpresë realizimit të tyre.
Në këtë tekst paraqitet ideja për ndërtimin e një Porti në qytetin e Ulqinit, gjegjësisht në Plazhin e Vogël (Gjirin e Ranës), me të cilin në njëfarë mënyre do fillonin shkëndijat e para për ndërrimin e llojit të turizmit në këtë vend. Përveç asaj që në qytet nuk kemi një port të mirëfilltë ndikon që mos të kemi të zhvilluar turizmin që vjen nga anijet-jahtet luksoze turistike të vogla dhe të mesme e që bëjnë pjesë në llojin e veçantë të turizmit (turizmin nautik).Siç mund të vërehet Plazhi i Vogël, gjegjësisht Gjiri i Ranës, është krahasuar me Portin e Monakos. Arsyeja e krahasimit të tillë (edhe pse në shikim të pare drastike) është që ka pak a shumë ngjashmëri gjeografike dhe demografike të vetë këtyre qyteteve .
Kësisoji do ishte një port i mirëfilltë me gjatësi rreth 500 metra, ku do të mund të parkohen një numër bukur i madh i anijeve të vogla dhe të mesme, ashtu si në qytetet tjera jo më larg se në Budvë, Kotorr apo në Tivat – “Porto Montenegro”. Çdo ditë sezonale në këto qytete arrijnë anije me turistë për rekreacion dhe të njëjtit zbarkohen dhe kryejnë shërbime dhe shëtitje të ndryshme në këto qytete. Diçka e tillë mund të ndodhë edhe tek ne, dhe spontanisht do ndikojë në eliminimin e asaj tollovie jo shumë produktive siç është tani në Ranë dhe në mbarë Ulqinin. Ky lloj turizmi do ishte më elitar, me numër ndoshta më i vogël, por më fitimprurës.
Pastaj do të kemi turizëm dhe jashtë sezonit turistik verorë, i cili sot në Ulqin nuk është fare i pranishëm. Pra në mes të dimrit mund të arrijë ndonjë anije me rreth 100-200 turistë siç ndodh jo radhë në Bokën e Kotorrit. Mund ta paramendoni këtë numër turistësh në Ulqin në mes të dimrit, e që në ketë periudhë në Ulqin mbizotëron qetësia absolute, ku nga popullata përdoret fjala e famshme: “N’dimër Rana isht si mi ra bumja”. Çfarë dobie do ishte për lokalet afariste aty pranë dhe mbi mbarë qytetaret ku ato turistë qëndrojnë gjatë gjithë ditës. E gjithë kjo do ndryshonte pamjen dhe buxhetin e qytetit, emancipimin e qytetarëve , konceptin dhe llojin e turizmit.
Pyetjet që mund t’ju vërtitën në mendje ashtu si dhe mua, është kostoja e portit dhe ku do kryejnë plazhin turistët që gjerë më sot kanë bërë plazh në Plazhin e Vogël.
Kostoja s’do mend që do jetë e lartë, por në vlerësim afatgjatë e arsyeshme. Ndërsa për kryerjen e plazhit turistëve do ju bëhej zgjidhja në shumë plazhe të ndryshme që posedon ky qytet. (Sipas një ish kapitenit të anijeve nga Ulqini me karrierë 30 vjeçare e që jam konsultuar me të, më ka thënë që sa ka punuar si kapiten askund dhe në asnjë qytet të modernizuar nuk ka parë që mu në mes të qytetit të jetë plazhi për tu larë e aq më tepër qyteti të mos ketë Port). Mendoj qe përveç këtij lloj turizmi që është tani në qytetin tonë ku më shumë kemi kuantitet se kualitet, (e që ndoshta nuk është mirë të jemi pesimist) por mund dhe duhet të ketë ofertë dhe lloj tjetër turizmi.
Kjo është njëra ndër format e mundshme për një ndryshim të shumëpritur frytdhënës, forma dhe mundësi tjera ka shumë.
E gjitha mbetët thjeshtë një IDE madje për dikë absurde, por nëse s’jemi skeptik dhe jemi pakëz Pozitiv dhe Optimist, mund të shpresojmë për diçka të ngjashme. Thjeshtë, të menduarit, të besuarit dhe idetë s’janë të ndaluara, e sidomos ato pozitive. Ideja është gjysma e realizimit, gjysma tjetër është PUNA!