Gazetari i të përjavshmes “Koha javore”, e cila botohet në Ulqin në gjuhën shqipe, Ismet Kallaba, vlerësoi se nëse i referohemi këtyre 27 viteve të shumëpartiakësisë në Mal të Zi do të vërejmë se pjesëtarët e pakicave, por sidomos shqiptarët, vazhdojnë të jenë qytetarë të rendit të dytë.
“Kjo tregon për mosbesimin e pushtetit ndaj pakicave, posaçërisht ndaj shqiptarëve. Dhe kjo nuk vlen vetëm për partitë politike shqiptare, por mosbesimi ekziston edhe ndaj shqiptarëve që janë në partitë malazeze. Kështu për shembull, me sa di, Partia Demokratike e Socialistëve, e as ndonjë parti tjetër e ashtuquajtur qytetare, nuk ka pasur asnjë ministër shqiptar në periudhën e shumëpartiaksisë në Mal të Zi”, shkroi Kallaba në numrin e fundit të kësaj reviste.
Ai shtoi se shqiptarët nuk mund të drejtojnë asnjë ministri tjetër por edhe në përbërjen e qeverisë së re për ta është rezervuar Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave.
Kallaba shtoi se, derisa të mos zgjidhet dikush nga pakicat në vendet udhëheqëse, si President, kryeministër ose kryetar i Kuvendit, Mali i Zi nuk mund të lavdërohet me shkallën e demokracisë së arritur.