I.Karamanaga: Përshtypje mbi vizitën e artistëve nga Ulqini dhe rajoni në Nju-Jork (2)

Ismeti 1Drama “Nana” shkaktoi emocione të thella te publiku
Jam më se i bindur se të gjithë ne në skenë dhe publiku përballë skenës, e përjetuam me emocione të mëdha shfaqjen e kësaj drame. Të gjithë ne i kuptuam sakrificat e nënës, mundin dhe pagjumësinë e saj, natyrisht edhe problemet të cilat shpesh ndodhin në familje “kur vjen nusja” në shtëpi, ndarja dhe largimi i fëmijëve duke i lënë prindërit të jetojnë shpesh në vetmi.

Pjesa e dytë e këtij spektakli ishte shfaqja e dramës “Nana” nga Trupa teatrale ”Teuta” nga Ulqini. Në fillim të shfaqjes, në skenë më ftoi edhe mua Etrita, për ta prezantuar shfaqjen.
Para se të filloj, për Etritën i kam pasur fjalët e zgjedhura, duke e informuar publikun për këtë vajzë e cila na qëndisi skenën. I përkujtova se ajo ka qenë nxënësja më e mirë e Gjimnazit të Ulqinit, e talentuar në shumë lëmi, kurse sot është një ndër femrat më të suksesshme në Nju-Jork dhe në SHBA në përgjithësi nga komuniteti shqiptar.
Natyrisht, prezantova anëtarët e Teatrit “Teuta” dhe dramën “Nana”, duke ua përcjellur mesazhin e nënave, motrave dhe vëllezërve nga Ulqini dhe rrethina, të gjithë atyre të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë. Zgjova emocione të thella duke u thënë se ata i kanë lënë nënat në vendlindje, por sytë e tyre janë plot lot dhe mall për ju, kurse edhe shpirtat e atyre nënave të cilat nuk jetojnë më gjenden sonte në këtë sallë.
Gjithashtu i përkujtova që nuk duhet të lejojnë që ta harrojnë gjuhën e nënës së tyre, pavarësisht nga koha, distanca dhe kushtet e jetesës që i kanë këtu.
Vetë titulli “Nana” evokon kujtimet, kurse për nënën gjithmonë janë shkruar vepra të mëdha, dhjetëra e qindra vargje, libra, filma dhe pjesë muzikore që i dedikohen nënës, sepse ajo është qenia më e shtrenjtë në jetën tonë, kurse emri i saj është më i shenjtë në botë.
Para fillimit të dramës, Jetlira, Mahmudija dhe Aurora recituan vargje nga poezi shqipe.
Pastaj filloi drama, ku nana e cila tundte djepin e djalit, duke i kënduar ninulla, këngë që kanë qenë gjithmonë aq të njohura për brezat e kaluar, por të cilat mjerisht po zhduken në kohën moderne ndër nënat e sotme.
Rolin e nënës e luajti Blerta Kurtoviq në mënyrë maestrale, ndërsa të djalit të vogël Anes Kurtoviq.Rolin e djalit e solli realisht aktori Muho Uruçi, një aktor i lindur. Mimika në fytyrën e tij, dialogët midis tij dhe nënës, të birit dhe nuses, që e luante Albana Kurti – Zeçeviq, ishin të prekshëm për publikun e fokusuar pranë skenës.
Në fund, pas dramës, Albana e cila luajti rolin e nuses “së keqe”, duke dalë në skenë për t’u përkulur publikut, tha se unë nuk jam ajo “nusja e keqe”, rol që ajo e luajti aq mirë.
Drama shkaktoi emocione të thella te publiku,i cili është larg nga vendlindja dhe ka mall të madh për vendlindjen.
Jam më se i bindur se të gjithë ne në skenë dhe publiku përballë skenës, e përjetuam me emocione të mëdha shfaqjen e kësaj drame. Të gjithë ne i kuptuam sakrificat e nënës, mundin dhe pagjumësinë e saj, natyrisht edhe problemet të cilat shpesh ndodhin në familje “kur vjen nusja” në shtëpi, shpesh ndarja dhe largimi i fëmijëve duke i lënë prindërit të jetojnë shpesh në vetmi. Sot këto gjëra janë realitet i përditshëm te ne.
Duhet të përmenden edhe aktorët e tjerë, si Bashkim Alaj në rolin e plakut të qytetit, Aurora Kurti në rolin e gruas së moshuar, Jetlira Hoxha në rolin e moshës së re, Benjamin Abazi në rolin e shokut të djalit; Mahmudije Nimanbegu së bashku me Aurorën dhe Jetlirën si recituese të poezisë shqipe. Të gjitha këto bënë që dërrasat e Teatrit “Symphony Space” në Nju-Jork të dridhen nga gjuha jonë e bukur shqipe.
Fundi i dramës solli shumë lot ndër spektatorë. Vdekja e të birit nga stërmundimet, dhimbjet dhe kthimi i tij në fund të jetës në krahët e nënës ishte tragjedia që e shohim dhe e ndjejmë me sytë tanë. Ai u shtri në krahët e saj dhe dha “shpirtin”. Vaji i nënës në skenë shkaktoi edhe lot te publiku.
Dhe në fund, dy-tri fjalë për autorin e dramës “Nana”, Munib Abazin. “Gjaku nuk është ujë”,thotë një thënie popullore. Prandaj edhe Munibi i ka të gjitha vetitë e fisit të madh të njohur Abazi nga Ulqini. Këto janë veçoritë karakteristike gjenetike të rrënjës së këtij fisi, të trashëguara brez pas brezi.
Munibi ka treguar aftësi, dijeni, por edhe autoritet tek ekipi i cili në mënyrë profesionale i luan rolet nën drejtimin e këtij entuziasti të palodhshëm.Isha dëshmitar në disa seanca të shfaqjes, në veçanti në mbrëmjen finale në “Symphony Space” në mes të Nju-Jorkut. Duartrokitjet në fund të mbrëmjes do të na mbesin përgjithmonë në kujtesën tonë, në veçanti Munibit i cili ishte autori dhe regjisori i dramës “Nana”, e cila i preku thellë të gjithë të pranishmit.
Dhe fare në fund të këtij vështrimi, në mbyllje të programit, ku ndërmjet tjerash, z. Cafo Bogës, autorit dhe financierit të udhëtimit tonë në Nju-Jork, një njeriu human të jashtëzakonshëm, një njeriu të rrallë me zemër të madhe, i dhurova simbolikisht një shishe të vogël me vaj “të virgjër”, të prodhuar në mullirin e z. Fatmir Sadiku nga Ulqini, shishe e vendosur në një arkë të vogël artizanatesh, si edhe librin tim më të fundit, ku z. Cafo Boga zë vend të veçantë.
Pa dashur të promovoj librin, e citova një kritikë dhe një fjali të cilën e ka shkruar publicisti i njohur Ismet Kallaba: “Sintagma ‘Ulqini Florini’ tregon zakonisht bukuritë natyrore dhe pasuritë e mëdha të qytetit të Ulqinit, por ‘florinj’ për Karamanagën janë ata njerëz të mirë dhe të shtrenjtë, me vlera të larta njerëzore dhe morale, mbi të gjitha, të cilët Ulqinin e tij e bëjnë më të bukur”. Njëri nga këta florinj është z. Cafo Boga, i cili gjendet në majën e kësaj piramide. Ai pa dyshim meriton të shpallet Qytetar Nderi i qytetit tonë përgjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi