“Që nga mosha 14 vjeç, fillova të punoja si praktikant në Galeb. Pata fatin të mësoja nga më të mirët. Por duhej të mësoje dhe ta zotëroje vazhdimisht zanatin”, thotë Ilijaz Fici, një gastronom i njohur nga Ulqini.
Ai kujton me nostalgji fillimet e punës nga mesi i viteve ’60 të shekullit të kaluar në hotelet e Ulqinit dhe mjeshtrat e mëdhenj të kuzhinës që atëherë kryesisht vinin nga jasht.
“Më i famshmi midis tyre ishte Sergej Bajkov, një rus, i cili jetoi dhe punoi për tetë vjet në Itali dhe dinte 250 receta italiane. Ai gjithmonë përgatiste gjithçka me gjalpë dhe vaj ullini”, thotë Fici.
Siç thekson, menaxherët e atëhershëm të Kompanisë së Hotelerisë dhe Turizmit “Rivijera e Ulqinit”, Miodrag Mishko Miroviq dhe Safet Divanoviq, insistonin ne stafin lokal.
“Ne shkuam në trajnime dhe specializime në Opati dhe Beograd. Në vitin 1971, Rexhep Milla ishte i pari ulqinak që u bë shef kuzhine”, kujton Fici.

Sipas tij, puna atëherë bëhej me shumë entuziazëm dhe vullnet, me përbërës cilësorë dhe vendas, të cilët bliheshin në tregun e Ulqinit.
“Safet Divanoviq këmbënguli që kur të vinin delegacione, ne gjithmonë të përgatisnim gjellë dhe delikatesa ulqinake, siç është luleshega. Të gjithë mysafirët do të mahniteshin. Ne gjithashtu i përgatitnim gjellë tona kur shkonim në prezantime të organizuara nga Ulqini e deri në Dubrovnik”, thotë ai dhe shton: “Gjithçka është ndryshe tani. Ushqimi i shpejtë e ka shkatërruar botën”.
Fici thotë se edhe si pensionist përpiqet të jetë në profesion. “Ne kemi një shoqatë lokale, një ekip të mirë, i cili ftohet shpesh kur Organizata Turistike organizon disa programe. Ne jemi vizitorë të rregullt në Ditët e Bamjeve në Kala”, vëren ai.
Ky gastronom ulqinak me përvojë thekson se është mirë të punosh me mysafirë që dinë të porosisin gjellë, por edhe me ata që dinë të shërbejnë bukur.
“Ashtu siç është mirë të dish se dikush vlerëson përpjekjet, punën dhe njohuritë e tua”, përfundon Fici.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Kultura e kuzhinës: të gjitha shijet e Ulqinit”, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitje të Pluralizmit dhe Diversitetit të Medias. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë.








