INAUGURIMI I PROJEKTIT “TË RINJTË NË DIALOGUN NDËRKULTUROR”

Të premten, më 13 shtator, në Librarinë “Ulqini”, OJQ Horizonti i Ri organizoi aktivitetin iniciues të projektit me titull “Të rinjtë në dialogun ndërkulturor”, i cili realizohet me mbështetjen e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.

Ky projekt ka për qëllim edukimin e të rinjve nga Ulqini për konceptin e interkulturalizmit dhe fuqizimine tyre për promovimin e kulturës së tolerancës, vlerësimin e diversitetit dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë shtetëror.

Aktivitetin e hapi kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në jetën publike dhe rolin kyç të tyre në ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe të barabartë. Në diskutimin e tij me të rinjtë ai theksoi se “Të rinjtë janë resursi më i rëndësishëm i të ardhmes së komunitetit tonë dhe se përfshirja e tyre në proceset ndërkulturore është një investim për një perspektivë më të mirë. Komuna e Ulqinit do të mbështesë çdo iniciativë që nxit tolerancën dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Interkulturalizmi nuk është thjesht një fjalë – është mënyra jonë për të jetuar së bashku, me respekt dhe mirëkuptim për njëri tjetrin”.

Pas tij, fjalën e mori kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, znj. Ivana Popoviq, e cila u ndal në rolin që ka Kuvendi i Komunës në mbështetjen e të rinjve dhe afirmimin e vlerave të diversitetit. Ajo përmendi rëndësinë e projekteve të tilla për të rinjtë, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Më pas, znj. Mila Popovich, Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për Interkulturalizëm në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, përmendi përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë për të krijuar platforma që fuqizojnë të rinjtë dhe promovojnë diversitetin kulturor në Mal të Zi.

“Ministria jonë ka punuar intensivisht për të mbështetur ndërkulturalizmin si një vlerë kyçe të bashkëjetesës. Të rinjtë janë promotorët më të mirë të këtyre vlerave, dhe është detyra jonë që t’u ofrojmë atyre mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për të qenë aktivë në këtë proces”, theksoi ajo.

Zyrtari i kësaj drejtorie z.Kristjan Dukaj, foli për rolin e institucioneve shtetërore në integrimin e politikave të ndërkulturalizmit dhe përkrahjen e iniciativave që promovojnë bashkëpunimin midis komuniteteve. Ai përmendi se ndërkulturalizmi është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet zhvilluar në të gjitha nivelet e shoqërisë, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Pas diskutimeve të të ftuarve, të rinjtë pjesëmarrës në aktivitet zhvilluannjë seancëinteraktive ku patën mundësi t’u drejtonin pyetje panelistëve mbi mundësitë e përfshirjes së tyre në hartimin e politikave rinore dhe përfshirjen në vendimmarrje. Diskutimet u përqendruan në rolin e institucioneve në mbështetjen e të rinjve dhe strategjitë për integrimin e kulturave të ndryshme brenda shoqërisë.

Gjatë fazave të ardhshme të këtij projekti do të realizohen këto aktivitete:Shkolla e dialogut ndërkulturor, takimet ndërkulturore të të rinjve, fushata mediatike dygjuhëshe. Në përfundim të projektit të rinjtë do të shpërblehenme diploma për ndjekjen e suksesshme të projektit.

Projekti zbatohet ne bashkëpunim me OJQ “Këndi i Tolerancës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…