Kur në fillim të vitit 2011 me një grup aktivistësh kemi punuar vizionin për gjirin e Valdanosit, biologu gjerman i cili ndërroi jetë herët, Martin Shnajder-Jakobi, ka propozuar që në këtë plan të jetë edhe ndërtimi i shëtitores e cila do të çonte deri në Kala.
“Do të ishte kjo një pistë ideale dhe përjetim unik: të shëtisësh afër detit, pranë ullinjve dhe shkurreve, nga natyra unike, siç është Valdanosi, deri tek monumenti kulturo-historik i kategorisë së parë, siç është Kalaja e Ulqinit”, thoshte ky njeri bujar.
Me të vërtetë: në pistë e tillë, së bashku me atë e cila më në fund do të rregullohet, prej hotelit “Albatros” deri tek kepi i Gjeranave, do të ishte atraksion si për turistët ashtu edhe për vendasit.
Dhe mund të mbajë emrin e këtij dashamiri të bukurive të Ulqinit, mbrojtësit dhe promotorit të tyre. Ta shpërblejmë të paktën në një farë mënyre këtë njeri të madh.