Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Instituti IDEA edhe këtë vit sikur vitin e kaluar ditën e parë të festës së Kurban Bajramit, shpërndau mish kurbani për familjet të varfra dhe me nevoja të shumta në krejt territorin e Ulqinit me rrethinë e deri në Krajë.
“Nga 70 kurbanet e therur (10 lopë) përfituan 200 familje nga vendbanimet në komunën e Ulqinit me rrethinë e deri në Krajë, me kushte të rënda socio-ekonomike, siç janë familjet e jetimëve, skamnorët, invalidët, si dhe familjet Rome. Secila qese kishte 8 deri 12 kg mish kurbani”, pohojnë nga kjo organizatë.
Kontribues të këtyre kurbaneve janë bashkatdhetarët tanë nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi, konkretisht anëtarët e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens, NY.
“Këto kurbane kanë ardhur si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm dhe besimit që partnerët tanë kanë treguar dhe po tregojnë në mbështetjen e të gjitha projekteve, e në veçanti të projektit për shpërndarjen e mishit të Kurban Bajramit, që sapo e realizuam”.Instituti IDEA tashmë ka përfituar një përvojë të mirë në menaxhimin e situatave të ndryshme kur është fjala për realizimin e therjes së kurbaneve, ku mobilizoi aktivistë nga radhët e saj duke iu përmbajtur strikt rregullave dhe afateve të therjes së kurbaneve.
“Instituti IDEA u është mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e këtij projekti dhe e lusim Krijuesin tonë Fuqiplotë që t’i pranojë sakrificat dhe kontributet e çdonjërit, duke i shpërblyer me të mirat e Tij në të dy botërat”, thuhet në kumtesën e zyrës për informim të Institutit Idea.