Interkulturaliteti është model i sjelljes njerëzore në situatat kur ngjanë takimi i kulturave. Në këtë kontekst kulturat vështrohen si entitete të hapura të cilat ndërtohen reciprokisht dhe të cilët janë të prirur të lëvizin dhe të ndryshojnë.
Grupimet dhe kulturat etnike të cilat gjenden në interaksion nuk e humbin identitetin e vet kryesor, por krijohen sintezat e reja kulturore. Në procesin e komunikimit interkulturaliteti i mundëson individëve dhe grupeve përvetësimin e njohurive të reja, ndërsa me njohuri të reja mundësohet identifikimi reciprok i diferencave.
Për dallim nga shoqëritë multikulturore, në shoqëritë interkulturore ekziston shkalla e lartë e interaksionit, të shkëmbimit dhe respektimit të ndërsjellët të traditës, normave dhe vlerave të tjetrit. Parashtesa “inter” shihet si indikator i takimit dhe të bashkëjetesës së kulturave si varietete të cilët gjithmonë nënkuptojnë njohjen e vetes dhe kuptimit e tjetrit, pra të ndryshmes.
Prandaj nocioni i multikulturalitetit, në diskursin publik tek ne, duhet të zëvendësohet me nocionin më të saktë – interkulturalitetin i cili bazohet në pluralizimin e zhvilluar që nënkupton komunikimin shumëdrejtimësh, të vullnetshëm dhe të zhvilluar ku komunitetet kulturore, fetare, gjuhësore dhe etnike janë në marrëdhënie të barabartë.
Nëse pranojmë formulimin sipas të cilit komunikimi interkulturor mundet të krijojë hapësira të reja, ndërsa kompetenca interkulturore tregon aftësinë që kjo ndër-hapësirë e re të krijohet përmes transparencës, empatisë dhe tolerancës, atëherë edhe misioni i “interkulturalitetit” shfaqet si angazhim kreativ, si aksion i vazhdueshëm i përshtatjes për të anuluar mbylljen dhe përfunduar banalitetet e stigmatizuara, si aftësi për njohjen e megapolisave mendor brenda dhe rreth nesh, si njohje autentike e cila gjithmonë është zbulim emocionues i të resë – brenda nesh dhe tek të tjerët.
Interkulturaliteti ka të bëjë me aftësinë e përjetimit të kulturës ndryshe, ai përfshinë interesimin, të hapurit, kuriozitetin dhe empatinë ndajë njerëzve që i përkasin kulturave të tjera.
Historia është dëshmitare se komunitetet në këtë hapësirë janë zhvilluar në marrëdhënien e ndërthurur me identitetet tjera vendore kulturore, religjioze, etnike dhe gjuhësore. Këtu gjithmonë në të kaluarën, njëjtë sikur sot, janë ndërthurur ndikimet e Lindjes dhe Perëndimit, duke krijuar një oazë multikonfesionale, lidhje të eksperiencave dhe ndikimeve të ndryshme, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe traditën tonë.
Në këtë ndërthurje ndër-religjioze dhe ndër-kulturore, në këto rregulla të pashkruara, bazohet veçantia jonë, identiteti i jonë kulturor si bazë për kuptimin e kolektives dhe tolerimit të të ndryshmes. Këtu qëndron bukuria jo vetëm e të kaluarës, por edhe të tashmes. Me interpretim të tillë kultivohen ato vlera të të kaluarës për të cilët të gjithë jemi krenar dhe të cilat duhet ti jetojmë.
Prandaj Ulqini dhe Tivari, me rrethinën e gjerë, janë qytete të rëndësishme në hartën e interkulturalitetit jo vetëm në bregun lindor të Adriatikut, por edhe në tërë Mesdheun.
Teksti është bërë në kuadër të projektit “Shfaqjet interkulturore”, të cilin e realizon OJQ “Ul info”, me përkrahjen financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.