Ismet Karamanaga: MEHMET CUCA – Mësues i thjeshtë, me autoritet të madh

 

Mehmet C.Ai është një nga pishtarët e arsimit në gjuhën shqipe te ne, një mësues i cili ka punuar me zemër, një njeri me autoritet të rrallë dhe të veçantë. Ai i takon atij grupi të pishtarëve të arsimit tonë të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata, në mesin e të cilëve sot ka edhe me grada të larta shkencore.

Koha kalon, por kujtimet mbesin. Në veçanti kujtimet për figurat të cilat kanë lënë gjurmë të mëdha në arsim dhe kulturë në qytetin e bukur të Ulqinit.
Njëri prej tyre ka qenë pa dyshim edhe një nga pishtarët e arsimit në gjuhën shqipe, i ndjeri Mehmet Cuca. Mehmeti ishte një mësues i cili ka punuar me zemër, një njeri me autoritet të rrallë dhe të veçantë.

Ai i takon atij grupi të pishtarëve të arsimit tonë të cilët me shumë dashuri dhe vullnet kanë arsimuar shumë gjenerata, në mesin e të cilëve sot ka edhe me grada të larta shkencore. Shumë nga ata nuk e kanë harruar Mehmet Cucën, mësuesin e parë, i cili me një kënaqësi të madhe ka punuar një kohë të gjatë në Anë të Malit, Shtoj dhe Ulqin, në kushte shumë më të vështira se sot.
Si ta përshkruash këtë personazh i cili nuk jeton më, por i cili me një pedigre të veçantë, gjithmonë i veshur në mënyrë elegante, me kravatë dhe me kapelë, ka dhënë mësim dhe ka punuar në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave?!

Të rrallë kanë qenë ata të cilët e kanë dashur aq shumë arsimin dhe edukimin e fëmijëve, siç ka qenë Mehmet Cuca. Në vitin 2004 ka ndërruar jetë, por mua figura e tij markante, të ecurit dhe zëri i tij më kujtohet a thua se është sot në mesin tonë. Një figurë e tillë ka qenë e rrallë, me një autoritet te fëmijët, por edhe te qytetarët e Ulqinit. Mendoj se nuk gaboj kur them se ai te shumë qytetarë të Ulqinit ka mbetur ende si i tillë në kujtesë.

Mehmeti më kujtohet më së tepërmi viteve të fundit, kur pas pensionimit ka dalë më tepër në pazar, në kafenenë tek Aliu, ku ai për çdo ditë e ka pirë kafen e parë të mëngjesit. Shpeshherë jam ndaluar për ta përshëndetur dhe kam biseduar me të. Çdoherë nga ai jam ndarë me përshtypje të veçanta, duke i dëgjuar fjalët dhe këshillat e tij. Ka folur rrjedhshëm, me zë të lehtë. Mehmet Cuca ishte një mësues i thjeshtë, por me autoritet të rrallë. Më kujtohen fjalët e tij kur më tregonte ndonjëherë për jetën e tij. Rrugëtimi i tij jetësor ka filluar në fshatin Sukubinë, ku ka lindur në vitin 1921. Ky rrugëtim ishte shumë i vështirë. Pas shkollës fillore që e ka vijuar në Sukubinë, është regjistruar në Medresenë e Shkodrës. Por u desh ta ndërprente për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Lufta dhe pjesëmarrja në të ishte për Mehmetin periudha më e vështirë në jetën e tij. Fati e deshi të shpëtojë dhe të kthehet shëndosh nga lufta. Më pas u përball me sfidat dhe kohët e vështira, duke u angazhuar në shoqërinë dhe në shtetin e ri të Jugosllavisë. Në Luftën e Dytë Botërore ka marrë pjesë prej dhjetorit 1943 deri në çlirim, në maj të vitit 1945. Pas çlirimit fillon periudha e kthimit në një jetë normale në kuptimin e plotë të fjalës për ato kohë dhe kushte të vështira, mësimi dhe kthimi i një jete të diktuar nga të tjerët. Mirëpo ai të gjitha këto i pranon me vullnet pasi që gjithmonë ka qenë aktivist i dalluar.
Kështu që pushteti i asaj kohe e angazhon për hapjen e kurseve të ndryshme pedagogjike disa vite me radhë, kur edhe ai kualifikohet për mësues në Pejë dhe këtë profesion human e ushtroi deri në pensionimin e merituar.
Më vonë, më tregonte shpesh Mehmeti, “kam punuar ku më kanë çu, por gjithmonë në rrethinën e Ulqinit, në veçanti në Anën e Malit, ku edhe jam bërë drejtor i shkollës ku kam filluar edhe unë, në Sukubinë.
Bile, edhe në Shtoj kam punuar si drejtor, kurse misionin tim e kam përfunduar si mësues dhe pedagog në Shkollën Fillore ‘Boshko Strugar’ në Ulqin.“
Këto janë disa të dhëna të shkurtra nga jeta e një mësuesi dhe pedagogu të dalluar, por një biografi shumë e pasur për ato kohë të vështira në të cilat ka qenë qenë tërë shteti i Jugosllavisë, e në veçanti Mali i Zi dhe qyteti ynë i Ulqinit.

Si njeri me autoritet, Mehmeti nuk ka mundur t’i shmanget edhe politikës. Në pyetjen time: “Mehmet, kam dëgju se ke qenë edhe në Parlament para këtyre të tashmëve?”, përgjigjet duke u qeshur: “Në vitin 1973 më kanë zgjedh edhe deputet në Dhomën për Arsim dhe Kulturë të Malit të Zi, ku kam qenë pesë vite. Bile kam fituar edhe lëvdata dhe më kanë shpërblyer disa herë si punëtor pedagogjik i dalluar”.

Edhe unë si autor i këtij shkrimi modest kushtuar kësaj figure markante të qytetit tonë të bukur nuk i kam ditur shumë gjëra, prandaj është mirë që t’i shënojmë dhe të shkruajmë pasi që fjala e shkruar mbetet.
Koha kalon, mirëpo ne nuk guxojmë t’i harrojmë pishtarët e parë të arsimit, kulturës dhe edukimit në gjuhën shqipe te ne, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për avancimin e popullit tonë. Në këtë kuadër, edhe Mehmet Cuca ka vepruar dhe ka punuar në kohët më të vështira për emancipimin e popullit tonë.

Mehmet Cuca pa dyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në arsimin dhe kulturën tonë. Mendoj se është e nevojshme të hulumtohet, të studiohen arkivat, pasi që gjurmët e këtyre entuziastëve të kulturës dhe trashëgimisë sonë, ndër të cilët ka qenë edhe i ndjeri Mehmet Cuca, janë në arkiv apo bibliotekë te ne. Është mirë që njerëz të tillë të nxirren nga errësira pasi që janë trashëgimia jonë e lavdishme.
Mehmeti shpesh thoshte që punën në arsim e ka dashur me zemër. “Gjithmonë jam munduar në kushte të vështira, nganjëherë edhe me sakrifica të mëdha, shpeshherë edhe pa mjete, t’i edukoj gjeneratat e reja, gjithmonë duke i respektuar rregullat e arsimit”. Shumë herë e cekte se i është dashur që në mungesë të mjeteve materiale, të improvizojë mësimin në kushte të vështira, gjithmonë me qëllim që nxënësve mos t’u mungojë arsimi themelor.

“Jam i bindur se kam pasur sukses”, më thoshte Mehmeti. “Edhe unë si shumë mësues të tjerë, në fillim të arsimit në gjuhën shqipe te ne, kam punuar me pasion dhe me një dashuri të madhe për arsimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Malin e Zi. Në veçanti ka qenë vështirë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.

“Kanë qenë kohë të vështira”, më kujtohen fjalët e të ndjerit Mehmet Cuca. “Unë dhe shumë shokët e mi jemi munduar që të japim kontributin tonë. Sot është shumë më lehtë. Shpesh i krahasoj kohët pasi që ia kam arritë të punoj edhe sot në këto kushte, si mësues dhe si udhëheqës.”
Unë gjithmonë flas me një pietet të veçantë për të gjithë ata mësues dhe punonjës të arsimit nga plejada e madhe e mësuesve tanë, të cilët kanë dhënë kontribut të pashlyer në edukimin e popullit tonë. Mehmeti i përmendte gjithmonë Minja Nikollaidisin, Antonije Markoviqin, Qauthere Llunjin, Muhamed Zejnelagën, Pjetër Mirditën, Veli Hoxhën dhe të tjerë.

“Me të gjithë këta kam punuar dhe gjithmonë jemi këshilluar”, thoshte Mehmeti. “Ne kemi jetuar dhe kemi vepruar në një kohë të vështirë, kohën e luftës dhe skamllykut. Sot janë kushte të tjera, por mos harro që themelet ju kemi vu ne.
Mirëpo, unë e kam dashur këtë profesion dhe në qoftë se më pyet nëse do të kthehej në rini a e kishe ndrru profesionin, pa dilemë të them se prapë e kishe zgjedhur këtë profesion. Edhe kur jam pensionuar, gjithmonë kam qenë aktiv, pasi që përpiqem të inkuadrohem në shoqërinë e moshatarëve të mi.

Shpesh rri këtu në kafene te Aliu, ku kaloj një kohë, lexoj gazeta dhe takohem me shokët e mi, por edhe me të tjerët, siç e shef edhe me njerëz nga arsimi, siç je edhe ti”.
Mehmet Cuca ka qenë burrë në kulm, trim dhe guximtar i rrallë.

Tash një kohë të gjatë kam pasur ndër mend t’i shkruaj disa rreshta dhe ta kujtoj opinionin për këtë personalitet të qytetit tonë të bukur. Mehmet Cucën dhe disa të tjerë nga plejada e arsimit dhe edukimit te ne është mirë t’i kujtojmë, mos t’i harrojmë dhe t’i nxjerrim nga harresa. Është mirë që gjeneratat e reja të njihen me trashëgiminë tonë kulturore dhe ekonomike, por edhe me personalitetet që kanë qenë aktorë të asaj kohe. Ua kemi borxh.

Njëri nga ata ka qenë edhe i ndjeri Mehmet Cuca, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2004.

Inshallah shpirti i tij gjen prehje në Xhehnet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit
Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit

  Promovimi i dy librave të njohur, të autorit Adriatik Kelmendi, do bëhet në hapësirat e Muzeut të Ulqinit, të premten nga ora 20:30, në Kalanë e Ulqinit. Këtë e bëri të ditur vet drejtori i Klan

Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË
Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË

Mbrëmë rreth orës 19:30 policia ka ndaluar veturën në Kodra dhe ka kontrolluar shoferin P.P. (42) nga Tivari, është bërë e ditur nga Drejtoria e policisë. “Aty është gjetur një pako PVC me lëndë narkotike

Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT
Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT

Nga e martja do të ketë zbritje të re në të gjitha llojet e karburanteve nga nëntë deri në 12 cent në pompa, shkruajnë mediat. Eurosuper 98 do të kushtojë 1.39 euro, Eurosuper 95 do të kushtojë 1.35 euro,

Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME
Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME

Ju informojme se pas ngjarjes tragjike te ndodhur ne qytetin e Cetines dhe ne shenje repekti ndaj familjeve te viktimave, Keshilli Organizativ i protestes se banoreve te Krythes dhe Mërkotit kane marre

Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN
Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Financave, dr Agron Ibrahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale, Esmir Beqaj, do të qëndrojnë të hënën per vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Ato do