Ismet Karamanaga: Rebi–Rrebo Tivari – JARANI NGA RANA

Ai është i vetmi që nuk e ka pasur qejf lundrimin në det nga i gjithë fisi Tivari. Rreboja, pa dyshim, i don shumë detin, barkat, sanallat, por veç për t’i parë në molin e Ulqinit, kurse gjatë verës e don detin për t’u larë dhe notuar, por jo të navigojë dhe lundrojë. Një pjesë të jetës e ka kaluar në Mostar, ku është shkolluar, martuar dhe jetuar deri në vitin 1971. Por dashuria për vendlindjen gjithmonë ka qenë e fortë dhe tërheqëse, prandaj këtë vit ai vendos të kthehet në Ulqin.

Çdo njeri që dëshiron të shkruaj për detarinë e famshme ulqinake, gjithmonë i shkon mendja te fisi më i njohur detar nga lagjja Rana, fisi Tivari, i cili në bagazhin e vet ka pasur shumë detarë dhe kapedanë me nam. Kështu që të rrallë janë ata pjesëtarë të këtij fisi të cilët nuk kanë lundruar.

Fisi Tivari nga Rana e bukur e Ulqinit ka një histori të veçantë. Për këtë arsye, në fillim të këtij shkrimi do të përshkruaj disa ngjarje nga historia jonë. Siç dihet, vendimet e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 për dhurimin e Ulqinit Malit të Zi apo “pazarllëkun” me trojet tona shqiptare, shkaktuan shpërnguljen e 413 familjeve nga Ulqini dhe rrethina, por edhe shumë nga Tivari, i cili pati të njëjtin fat.Rrebo
Kështu edhe familja e njohur e Adem Tivarit I, nga Kalaja e Tivarit, u nis për në mërgim, në drejtim të Durrësit, ndoshta edhe më gjatë deri në Stamboll, ashtu siç ndodhi me shumë të tjerë. Mirëpo, për fat të madh, Adem Tivari e hodhi spirancën në gjirin e Ulqinit, doli në Ranë dhe për fatin e qytetit tonë të bukur vendosi së bashku me vëllezërit e tij dhe me insistimin e të parëve ulqinakë, ndërmjet të cilëve ishte edhe gjyshi im Mulla Ismail Karamanaga, të qëndrojnë këtu dhe të mos largohen. Adem Tivari hapi shkverin, kantierin e parë në Ranë.

Me vëllezërit e tij filloi ndërtimin e anijeve dhe barkave, duke u bërë ndërtuesi i parë me famë të madhe, kurse vëllezërit dhe më vonë edhe pasardhësit e tij u bënë kapedanë dhe detarë me nam, por edhe njerëz të profesioneve, më të ndryshme.
Kjo traditë e lundrimit në det ende vazhdon pa ndërprerje, që nga ajo kohë e deri sot. Mirëpo, edhe këtu ka përjashtime.

Në fokusin e shkrimit tim është i biri i Ismail Tivarit, Rebi – Rrebo Tivari, i vetmi i cili nuk e ka pasur qejf lundrimin në det nga i gjithë fisi. Bile edhe vëllai i tij më i ri, Rexhepi, ka lundruar një kohë, kurse Rreboja tërë jetën e tij e ka kaluar në tokë. Ai është modest dhe i qetë, siç thotë populli ynë, dhe duke biseduar me të nuk mund t’i shmangeni ndjenjës se si ai reagon kur flet për të parët e tij.
Rreboja, pa dyshim, i don shumë detin, barkat, sanallat, peshkimin dhe peshkun. E don detin, barkat dhe sanallat, por veç për t’i parë në molin e Ulqinit, kurse gjatë verës e don detin për t’u larë dhe notuar, por jo të navigojë dhe lundrojë. “Lundrimin nuk e kam pasur kurrë pasion, as nuk më ka shku mendja kurrë me u barkuar në ndonjë barkë”, tregon ai, duke e bërë buzën në gaz.
Rrebo Tivari është gjithmonë i pari në Ranë dhe në mol, blen peshkun e parë, e pastron te shkallët e peshkaxhinjve, shkon në shtëpi dhe përsëri në Ranë, në mol, ku përfundon rruga e tij e detit, pavarësisht se secilën bisedë e fillon me detin, barkat.
Vërehet që në gjenet, gjakun dhe në secilën qelizë të trupit, zemrës dhe shpirtit të tij është deti. “Fati që motra ime fejohet dhe martohet në Mostar, trason edhe rrugën time.

Natyrisht, shkollën fillore e kam ndjekur këtu në Ulqin, së bashku me Alushin (Ali Llunjin)”, tregon ai, kurse pas martesës së motrës shkon në Mostar dhe jeta e tij merr një drejtim tjetër. Prandaj, në vitin 1956 shkon në Mostar, ku fillon të ndjekë shkollën e mesme, SHUP-in e dikurshëm, dhe mëson zanatin e mekanikut në Shoqërinë “Soko” të Mostarit.

Bëhet mjeshtër me profesion teneqexhi. “Për çdo ditë kemi punuar dhe kemi pasur edhe mësim praktik. Kështu që jemi bërë profesionistë në këtë lëmi. Ishte koha e vëllazërim-bashkimit, e Jugosllavisë së madhe, ku nuk ka pasur pengesa, as probleme ndërkonfesionale. Përkundrazi, të gjithë kemi kaluar, punuar dhe jetuar së bashku, pa probleme.

Ishim të gjithë të barabartë. Gjuhën ‘boshnjake’ e kam ditur dhe natyrisht atje e kam mësuar edhe më mirë, kështu që nuk kam pasur problem për asgjë.

Në Mostar kam kaluar shumë bukur. Bile në Urën e famshme, atë të ‘Vjetrën’ të Mostarit, kam njoftuar një vajzë nga Mostari i vjetër dhe pas një kohe, në vitin 1962, vendosim me u martuar”, tregon Rreboja. Dashuria e madhe për këtë vend, takimi në urën mbi lumin Neretva, në këtë qytet kaq tërheqës dhe të bukur, është bërë për çdo ditë e më e fuqishme dhe me bashkëshorten Naxhijen kalon një kohë të bukur në Mostar.

Mirëpo, dashuria për vendlindjen gjithmonë ka qenë e fortë dhe tërheqëse, prandaj në vitin 1971 vendosin të kthehen në Ulqin, në shtëpinë e vjetër të të parëve të tij. Zonja Naxhije e ka pasur të vështirë ta lejë Mostarin, të adaptohet me adetet e Ulqinit, të mësojë gjuhën, mirëpo dashuria ndaj Rrebos ka qenë më e madhe dhe ajo vendos që ta përcjellë.

Së shpejti Rreboja e rindërton shtëpinë dhe natyrisht, si mjeshtër i mirë, fillon të punojë në Adë, si “hausmajster”. Ishin këto fillimet e kohëve të arta të turizmit tonë. “Bile deshën me më vu edhe shef, mirëpo unë nuk kam pasur dëshirë me punuar në zyrë. Vendi im i punës ka qenë zanati dhe mjeshtëria ime, mirëmbajtja e bungallove të kampit për mysafirë në Adë. Aty e kam ndi veten më mirë”, kujton ai. Rreboja ka pasur duar të arta dhe gjithmonë ka pasur një nam të madh si mjeshtër në këtë lëmi.
Pak ka shtëpi në Ulqin ku Rreboja nuk ka ndërhyrë për riparimin e pullazeve, vendosjen e ullukëve dhe të teneqes. Ky mjeshtër me nam ka mundur të bëjë çdo gjë me teneqe dhe bakër. Bile shpesh thotë se ka pasur dëshirë të hapë një dyqan me artizanate, të cilat i ka parë si i punojnë mjeshtrat në Mostar.
Rreboja ka mbi 20 vite që e gëzon pensionin e merituar dhe pavarësisht nga mosha 80-vjeçare, ende është në disponim të miqve dhe mysafirëve për t’i ndihmuar me ndonjë ide të re për shtëpitë e tyre, pasi siç tregon, mosha e bën të veten dhe nuk ngjitet më në pullaze të shtëpive.
Me nostalgji të madhe flet për turizmin e dikurshëm, për Adën e cila ngadalë po devastohet. “Në Adë kam kaluar shumë mirë.
Më dhem zemra kur më shkon mendja se sa është devastuar Ada. Në kohët e luftërave të tmerrshme, të cilat e kanë shkatërruar ish-Jugosllavinë, janë bërë dame të mëdha në objekte, kurse tash edhe Zoti po e merr ngadalë dhe po ia kthen detit”. Ai thotë se gjatë punës së tij në Adë ka pasur momente të bukura.
“Me të gjithë personelin dhe me mysafirë kam kaluar mirë. Duke filluar prej Zhivko Mihailloviqit, Sylejman Likës, Ali Peshkut dhe Ruzhdo Karamanagës, me të gjithë kam pasur relacione të mira. Të gjithë ata kanë lënë mbresa të bukura dhe të mira tek unë”.

Me Rrebon ka qenë lehtë të merresh vesh pasi që ka qenë gjithmonë modest, i mirë, i butë dhe i qeshur, dhe çdo gjë e ka marrë me butësi dhe me gaz, kurrë nuk ka ditur të refuzojë apo të thotë se nuk mundet. Kështu ka mbetur edhe sot. Kafen e parë të mëngjesit e pin në kafenenë “Timoni” në Ranë, në tavolinën e tij.
Rreboja është një ndër boemët më të vjetër në Ranë. Nuk pin alkohol, kurse pasion ka prognozën sportive. Ka jetë të rregulluar dhe ka pension relativisht të mirë. Për çdo ditë tregu del në pazar, pastaj shumë herë në Ranë, pasi që shtëpia e tij gjendet veç pak metra larg nga deti. “Është përparësi e madhe dhe privilegj të jetosh kaq afër Ranës”, shprehet Rrebo Tivari. “Nuk kanë thënë kot: ‘afër detit afër mretit’”, përsërit Rreboja thënien të cilën e dinë të gjithë ulqinakët. “Merrem pak me turizëm. I kam disa dhoma të rregulluara.

Është koha e ‘koronës’ dhe sivjet nuk e kam ba sefte. Nuk kemi pasur sezon turistik. E kam shpresën që kjo pandemi do të kalojë, përndryshe kemi me pasur probleme jetësore të gjithë ne nëse edhe sezoni i vitit 2021 do të dështojë.
Kam dy varza dhe një djalë”, tregon me mall Rreboja, të cilin shumë ulqinakë e quajnë “Jaran”, si asociacion për fjalorin dhe shprehjen e tij të sjellë nga Mostari, të cilën ai e përdorë shpesh për miqtë dhe shokët e tij. “Djali dhe një vajzë jetojnë dhe punojnë në Suedi, kurse njëra është e martuar dhe jeton në Kosovë. Kemi mbetur vetum, mor Ismet. Kështu e ka mërgimi. Na merr shumë malli për fëmije, nipa dhe mbesa”, flet me mall Rreboja.

Përsëri i kthehet të kaluarës dhe punës në Adë. “Eh, sa e bukur ka qenë atherë. Sa gjermanët, sa të huajt kemi pasur. Çfarë rrogash kemi pasur, mar Ismet. Shumë vuaj për ato kohët e arta të turizmit tonë. A e di se çka i kanë ba Adës dhe kampave të cilat i kam mbajtë unë, në kohën e viteve ‘90 të shekullit të kaluar?! Krojet i kanë hekur, me i marrë për me i çu në shtëpitë e tyre. Bile dëgjoj se tash edhe Zoti ka filluar me e zvoglua Adën. Shof në TV vendin ku ka qenë diskoja, po e merr deti”, shprehet Rreboja. “Unë kam kaluar shumë mirë me personelin dhe me mysafirët në Adë. Kurrë nuk kam pasur probleme.
Por më së mirit kam kaluar me Bajukun në Adë, por edhe këtu në Ranë. Shpesh jemi shoqëruar derisa nuk ka ndërruar jetë, kemi kaluar kohë të paharruara”. “Shpesh na ke fotografu”, më përkujton mua.
“Natyrisht, edhe të tjerët si kapedan Shaqir Peku, Filo Leskovci, Ali Kasneci, Çuço Llunji kanë qenë ata që Ranës tonë i kanë nap një sharm të veçantë. Fili nuk del më, kurse Shaqiri, Bajuku, Çuçi, dhe Aliu kanë ndërrur jetë, kështu që kam mbetur vetum”, i kujtohet Rrebos e kaluara dhe shoqëria e tij e ngushtë me të cilët ka kaluar kohë në Ranë. Rrebo Tivari është një njeri i veçantë. Ka një të ecur karakteristik, kapelën dhe shprehjen “Jaran”, me të cilën ju përshëndet dhe e përshëndesin gati të gjithë që e njohin. Ndahem nga kjo figurë markante e Ranës sonë. I dëshiroj jetë të gjatë, të bukur dhe të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit
Të premten në Kala: Përurimi i dy librave të Adriatik Kelmendit

  Promovimi i dy librave të njohur, të autorit Adriatik Kelmendi, do bëhet në hapësirat e Muzeut të Ulqinit, të premten nga ora 20:30, në Kalanë e Ulqinit. Këtë e bëri të ditur vet drejtori i Klan

Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË
Policia: ARRESTOHET PERSONI ME 54 GRAMË MARIHUANË

Mbrëmë rreth orës 19:30 policia ka ndaluar veturën në Kodra dhe ka kontrolluar shoferin P.P. (42) nga Tivari, është bërë e ditur nga Drejtoria e policisë. “Aty është gjetur një pako PVC me lëndë narkotike

Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT
Qeveria e Malit të Zi: NGA NESËR MË TË LIRË ÇMIMET E KARBURANTIT

Nga e martja do të ketë zbritje të re në të gjitha llojet e karburanteve nga nëntë deri në 12 cent në pompa, shkruajnë mediat. Eurosuper 98 do të kushtojë 1.39 euro, Eurosuper 95 do të kushtojë 1.35 euro,

Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME
Keshilli Organizativ : PROTESTA NË KRYTHË SHTYHET PËR JAVËN E ARDHËSHME

Ju informojme se pas ngjarjes tragjike te ndodhur ne qytetin e Cetines dhe ne shenje repekti ndaj familjeve te viktimave, Keshilli Organizativ i protestes se banoreve te Krythes dhe Mërkotit kane marre

Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN
Bisedime rreth investimeve të shtetit IBRAHIMI DHE BEQAJ TË HËNËN ME BAJRAKTARIN

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Financave, dr Agron Ibrahimi, dhe drejtori i Drejtorisë për Investime Kapitale, Esmir Beqaj, do të qëndrojnë të hënën per vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit. Ato do