(Me rastin e vizitës që ia bëra Ulqinit në fund të muajit maj të këtij viti)
Ishte një kënaqësi e veçantë t’i bëja vizitë qytetin tim, sidomos para sezonit turistik, ku të duket se njerëzit kanë më tepër kohë, janë më të hapur e të zhdërvjellët dhe komunikojnë më lirë, meqë jetojnë in spe!
Pasi që shpresa, sipas një fjale të urtë, vdes e fundit, mund edhe disi të miratohej kjo mënyrë e të çuarit jete. Një gjë që hedh hije të zymtë mbi gjithë këtë, është se ajo gjendje (të jetuarit in spe, pra) është duke zgjatur pak si tepër (sipas kalemit tim, një çerek shekulli, pasi në diktaturë kemi pasur një vizion, ndonëse utopik), pra, zgjatur pak si tepër, çfarë bën që të mos lindin, të mos kultivohen edhe po të lindnin, të përdhosen apo edhe të degradohen vlerat e gjithëmbarshme, sidomos ato morale.
Të pakët ishin ata njerëz që me mua ndanin kënaqësinë kur u takonim dhe këmbenim ndonjë llaf, më tepër kishte nga ata që prania ime ua shkallmonte nga gurmazi rrokjet që formonin periudhat e tyre të mbufatura: gafa, të cilat me kënaqësi i këmbetin me ata që ua bënin qejfin! Dhe pikërisht kjo është më se vendimtare, të mos thuhej; strumbullari: bërja e qejfit!!?? Pasi që ky i fundit s’është veçse një handrak dhe pasi që qejfet janë të ndryshëm, bëri që të formohen vistrime mizash që qerthullojnë handrakun respektiv!…
Kërkoj ndjesë që në këtë rast (me këtë krahasim) nuk isha eufemist, kjo nga arsyeja se pata vërejtur se në klanet e grupacionet kishte nga ata që vetes i thonin artistë, ekspertë (të lëmive të ndryshme), por edhe tipa me tituj të lartë, të cilën në çdo qoshe a skutë ku iu dilte emri, e vënin atë si prefiks që mbase u shërbente si një lloz për të ngritur bagazhin e madh të shoqërisë që ua rëndonte(!) dhe ndrydhte(!) shpatullat. E keqja ishte se llozit i duhej pika mbështetëse, të cilën më kot e kërkonin prej klanit në klan, prej grupit në grup, prej handrakut në handrak…
Në romanin tim të vetëm të botuar (meqë i kam edhe disa syresh, të cilët së shpejti do ta shohin dritën e diellit), ku bëhej fjalë për intrigat e elitës provinciale, qëndron: “Dy hajdutë i kishin vjedhur dy smokingje dhe të veshur si zotërinjë u rrasën midis elitës. Mirëpo, para se hynë në sallë ku mbahej festa, i bënë fjalët ta inskenojnë takimin atje brenda sikur nuk ishin parë një kohë tejet, tejet të gjatë. ‘Unë ty’-i kishte thënë njëri-‘do të të nderoj me Zoti Doktor, e ti mua me Zoti Major, kurse vetëm ne e dimë se ç’muti jemi!?’1
Në këtë tokvarje, edhe të sipërcekurit me prefiksa e pa prefiksa qofshin, formojnë një lidhje suturike, pra, të ngurtë, në mënyrë që të ruhej qarku, klika, sidomos trajektorja e tyre vrangulluese!
Mirëpo përseja, e cila bën që të çalojë jeta ulqinake, në përgjithësi dhe jeta kulturore, në veçanti, ka mbase një natyrë të ndërlikuar. Ajo është një ngërthim ngatërrues(!) shkaqesh dhe pasojash dhe strumbullari i gjithë kësaj natyrisht se është faktori njeri (për të mësuar më mirë rreth burimit të gjithë kësaj të pabëre, duhet t’i referohemi asaj fjalës së urtë ku përmendet peshku dhe koka e tij).
Në thelb, ky çalim, apo më saktë, zënie në thua, nuk është edhe gjithaq i koklavitur si do të dukej në shikim të parë. E gjithë kjo ndodh të bëhej më e kapshme po që se i bëhej qasje problemit me një seriozitet e zemër të hapur, që s’kërkon një mendje të mprehët, në mos më vetëm, një stoicizëm që të thehen disa tabu që me vite të tëra ndrydhin gjer në trysni nivelin cilësor të jetës së këtij nënqielli.
Që çfarëdoqoftë të çohej përpara, duhej punuar me sistem, që do të thotë: të ndiqen disa rregulla dhe rrugëzime, pa të cilat nuk ka arritje të asnjëfarë caku apo qëllimi. Kjo me tjera llafe do të thotë: vënia e interesave të përgjithshme përpara atyre vetjake! Ndonëse realizimi i kësaj të fundit nuk është gjithaq e lehtë, nga arsyeja se mungon vetëkontrolli, veçmas kontrolli që duhej të jetë i ngërthyer në sistem, që në shoqëritë e ryshfetit, fatkeqësisht, nuk funksionon. Mbetet që të zgjohen nga kllapia ata syresh, të cilëve arsyeja nuk u buron nga stomaku dhe t’u thuhej mjaft familjarizmit, njohtësisë dhe miqësisë së ngushtë, mbrojtjes me çdo kusht të ngjyrave politike, etj., etj., që d.m.th. t’i vihej fre kësaj shkurtpamësie, e cila të shpie vetëm në theqafje.
Nuk është e tepër të parafrazohej thënia e një njeriut të ngritur: …demokraci të mirëfilltë nuk ka në vendet që kanë më pak se një milion dhe në ata vende që kanë më tepër se 100 milion banorë… Kjo nga fakti se në vendet e vogla njeh çdokush-çdokend, e në vende të mëdha nuk njeh qeni të zonë!? Ulqini ndodhet në një vend që njeh çdokush-çdokend, kurse ne ulqinakët dimë për njëri-tjetrin sa lugë kemi në shtëpi!? Përderisa ne disa vlera të mos i vëjmë mbi miqësi e njohtësi, familje e nevoja vetjake dhe përderisa shteti, të cilit i takojmë, të mos na e kthejë burimjetën që patëm deri nga fundi i viteve 80-ta të shek. XX, na mbetet të vazhdojmë të luajmë rrenash!
Për ata që nuk e kanë lexuar librin tim të fundit, të them se fare në fillim të tij, në “Mëtim”, qëndron ajo që duhej bërë në të ardhmen: ruatja dhe kultivimi i resurseve ulqinake. Mosshitja e tyre, sidomos mosshitja e shpirtit ulqinak!
Në fund po nxjerr kushtrimin:
Ulqinin e pllakosi amorali
i vuri dajak (me thepa)
ulqinak mos u struk por duku
(i vërteti) ULQINAK
Ulqinin e pllakosi burreci
-mburraveci i parradake
ulqinake mos u struk por duku
(e vërteta) ULQINAKE2
1 Kollari, Jaho: Lidhja me suturë, faqe 137
2 Kollari, Jaho: Prokrastinacioni (Stand up ulqinak/e), faqe 85