ZDRËMË
të zbërthehej fjala DASHURI
duhej zgavruar deri në të pasmet e shpirtit
të hapej zdrëmë aty të hapej
të mos i kthehej më syprinës
aty ku dashuria të qepej si qen i keq
çil-mshil të gërryhej me thonj
gjumi nga sytë gafilë
instiktit të zbythur në zdrëmat e gjeneve t´i jipej kuptim
duhej vdekur në paskajoren e të pasmes
të lindej sërish njeriu i zhveshur nga djenjat fisnike
t´i nënshtrohej pastaj analizës
të nxirrej ekstrakt produktesh anësore
të shkallmohen përpara skajshmëritë
të copëtohen e thërrmohen ato
dy gurë të mos lidhen bashkë
gjersa e pasmja të bëhej përparëse
që s´mbron dot nga handraku asnjë bythë dreqi…
RRENË/VËRTETA
në çastin kur pandeh se (nuk) të kuptojnë
ka gjasa se me botë më tepër bën llaf pa zemër
sesa pa tru
mahnitesh pastaj në ç´mënyrë
njerëzit mendjemprehtë dhe me sy në ballë
së vërtetës bisht i bëjnë
kështu duke kërkuar me ngulm të vërtetën
nis të dyshosh në vetvete
që s´janë vetëm isharete
se e vërteta është çelësi
që më tepër kyç se hap zemra
ç´është gjithë kjo drojë nga e vërteta
ç´është kjo drojë
pyesin veten ata që gjakojnë pas një shpjegimi modest
ku midis së vërtetës dhe gënjeshtrës
komutacioni të vlejë
SKIZOFRENIA
më ndihmo Zot
të vë dorë mbi vetvete
timin karakter ta dhunoj
timin identitet ta përdhos
shqisën time të gjashtë të paqenë ta bëj
më eja në ndihmë
ma hedh në trup lëngatën
personalitetin tim ma çajë
bashkëkohanikëve të mi
t´ua kuptoj më mirë personalitetin e tyre të hullitur
punët e tyre meleke
gafat e tyre zevzeke
që një flasin
e tjetrën bëjnë
që vrasin
që shajnë…
t´i dua
t´i dua…
që më hanë të gjallë
më ofro ndihmë o Zot
t´ua fal këtë të shëmtuar grykësi
që hanë me dy lugë
e zorrët gjithnjë u këndojnë uri
DETARËVE ULQINAKË
pas një dridhjeje pas të cilës guri mbi gur s´mbeti
pas një shiroku me topa që vetëm gryka e Valdanosit i bën ballë
pas një thatësire që as Fiku as Ulliri s´e mbajnë në mend
u duk një Anije në hapësirën e pafund të Detit
së pari si pikë, pastaj më e shquar dhe më e shquar
porsi vijat e ngjyrat e penelit të piktorit në telajon bilur
asnjë piktor i kësaj bote s´do ta përziej dot intezitetin e ngjyrës
që shpreh hallin, brengën, trishtimin, frikën…
e atyre që e arritën Limanin-mëmë me direkë të thyer e vela të çaraveshura
që kishin bërë be që me t´u arritur Ulqini s´do t´i ktheheshin më kurrë Detit
që gëzonin fëmi` e çilimi, të fejuara e gra, vëllezër e motra, mëmë e etër…
që u binin pëllëmbë për pëllëmbë Qytetit të tyre të shenjtë
pale të shohin sa të plakur dukeshin para syve të kohës
të cilës kaherë i kishte kaluar vapa me gusht
fejoheshin, martoheshin, shumoheshin, gëzoheshin, hidhëroheshin…
pastaj përqafonin gurë e dru të asaj toke të zhuritur nga skamja tejjetësore
para se të vinte ajo ditë e lume që t´i kthehen sërish Detit
porsi robët e shtëpisë të puthin e të përqafojnë çdo trung Fiku e Ulliri
me shpresë që mëshira e Detit të vë dorë përkëdheljeje
mbi trupin e tyre me plagë mijëvjeçarësh